Deputeti dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në News24, ka folur për situatën politike në vend dhe rolin e opozitës, duke u ndalur te çështja e një dosjeje të mbërritur në Parlament që lidhet me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku.
Shehaj u shpreh se Partia Mundësia nuk përfaqëson të gjithë opozitën dhe se janë vetëm dy deputetë në Kuvend, duke ngritur pyetje mbi veprimet që mund të ndërmerren në këtë situatë.
“Çfarë mund të bënim që Rama të mos përdorte votat e mazhorancës për arrestimin e Ballukut? Ashtu si thuhet që nuk e ndaluam, sikur ka ndonjë mundësi sado të vogël. Në demokraci ka rregulla ose do marrës armët. Të merrnim armët dhe në parlament unë dhe Eraldi t’i vrisnim dhe kështu do i ndalonim. Por nuk është kjo rruga që kemi zgjedhur dhe që funksionon në një demokraci”, u shpreh ai.
Shehaj theksoi se sipas tij, rruga e vetme është denoncimi dhe transparenca publike e materialeve.
“Ajo që mund të bëjmë është të denoncojmë këtë çështje, të flasim, të bëjmë publike materialet nëse ka. Të mbështesim drejtësinë. Ne kemi bërë atë që kemi pasur mundësi. Ne kemi kërkuar që dosja me 16 mijë faqe që ka ardhur në Parlament për Ballukun, kemi kërkuar të bëhet publike”, tha ai.
Ai kritikoi ashpër faktin që dosja prej 16 mijë faqesh që lidhet me çështjen nuk po bëhet publike nga Partia Demokratike.
“Kolegët demokratë e kanë. Ky është dallimi. Ne nuk mund të bëhemi bashkë me dikë që nuk bën publike një dosje me 16 mijë faqe ku përfshihen politikanë, deputetë, ministra. Ata kanë justifikime pa fund për dosjen. U kemi thënë nëse nuk doni ta denonconi na e dërgoni me email dhe e nxjerrim ne. Pse të mos bëhet?”, u shpreh Shehaj.
Sipas tij, opozita nuk po e shfrytëzon plotësisht mundësinë për presion politik.
“Nëse e kanë shpallur Ballukun armike kryesore dhe janë kundër kësaj qeverie duhet të gjenden mënyra për këtë gjë. Ata mund ta vendosin qeverinë me shpatulla pas murit por nuk kanë interes ta nxjerrin. Mesa duket nuk bëjnë opozitë të vërtetë, e bëjnë deri në një nivel”, përfundoi Shehaj.







