Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka inspektuar nga afër Shpellën e Spilesë në Himarë, ku pritet të zbatohet një projekt për mbrojtjen dhe zhvillimin e kësaj pasurie natyrore dhe kulturore.
Gjatë inspektimit, ministri theksoi rëndësinë e veçantë që ka kjo shpellë për zonën, duke e cilësuar atë si një ndër hapësirat më unike të bregdetit shqiptar, ku ndërthuren natyra, historia dhe legjendat. Sipas tij, shpella lidhet shpesh me mitin e Ciklopit të përmendur nga Homeri, çka e rrit më tej vlerën e saj kulturore dhe turistike.
“Shpella e Spilesë në Himarë përfaqëson një nga hapësirat më të veçanta të bregdetit shqiptar, aty ku peizazhi natyror ndërthuret me historinë, legjendat dhe kujtesën kolektive. E lidhur shpesh me mitin e Ciklopit të përmendur nga Homer, kjo shpellë mbart një potencial të rëndësishëm kulturor dhe turistik për zonën.
Përmes një ndërhyrjeje të kujdesshme, synohet mbrojtja dhe interpretimi i kësaj hapësire unike, duke krijuar mundësi që vizitorët ta përjetojnë dhe kuptojnë atë pa cenuar integritetin e saj natyror dhe historik,” u shpreh Gonxhja.
Projekti parashikon ndriçimin e brendshëm të shpellës, duke e bërë atë të vizitueshme edhe gjatë orëve të natës. Po ashtu, ndërhyrja përfshin rikualifikimin e hapësirës përpara shpellës, e cila do të kthehet në një zonë publike funksionale dhe të integruar me vijën bregdetare.
Sipas ministrit, kjo ndërhyrje do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e atraktivitetit të Riviera Shqiptare, duke krijuar një itinerar më të plotë turistik dhe kulturor për zonën e Himarës dhe duke lidhur trashëgiminë natyrore me atë historike.
“Ndriçimi i pjesës së brendshme do ta bëjë shpellën të dallueshme dhe të identifikueshme edhe gjatë orëve të natës, duke krijuar një eksperiencë të re për vizitorët dhe duke e kthyer atë në një pikë referimi të rivierës.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe rikualifikimi i hapësirës përpara shpellës, duke ia rikthyer këtë zonë qytetit si një hapësirë publike më funksionale, të aksesueshme dhe të integruar me vijën bregdetare. Kjo ndërhyrje krijon mundësinë për të ndërtuar një itinerar më të plotë turistik dhe kulturor për sitet e zonës së Himarës, duke lidhur trashëgiminë natyrore me atë kulturore dhe duke rritur atraktivitetin e destinacionit gjatë gjithë vitit”, thekson Gonxhja.
Projekti financohet nga Banka Botërore përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Projektimi realizohet nga Cultural Heritage without Borders Albania, ndërsa monitorimi kryhet nga DRTK Vlorë.







