Administrata e presidentit Donald Trump ka publikuar një seri dokumentesh dhe videosh të deklasifikuara mbi Fenomenet Anomale të Paidentifikuara (UAP), të njohura ndryshe si UFO, në atë që po cilësohet si një nga hapat më të mëdhenj drejt transparencës mbi fenomenet jashtëtokësore.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se materialet e publikuara përfshijnë video, fotografi dhe dokumente origjinale të mbledhura nga institucione të ndryshme amerikane, pa pasur nevojë për autorizime speciale sigurie.
“Ndërsa administratat e kaluara u përpoqën të diskreditonin ose të dekurajonin popullin amerikan, Presidenti Trump është i përqendruar në ofrimin e transparencës maksimale për publikun, i cili në fund mund të vendosë vetë lidhur me informacionin që përmbajnë këto dosje”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë për Fox News.
Publikimi është bërë në kuadër të programit “PURSUE”, i krijuar nga Trump për deklasifikimin e informacioneve mbi takimet me UAP.
Mes materialeve të publikuara ndodhen edhe fotografi të realizuara gjatë misioneve hapësinore Apollo 12 dhe Apollo 17, ku shfaqen objekte të pazakonta në hapësirë. Një prej fotove të marra nga sipërfaqja e Hënës tregon tri pika misterioze në qiell.
Në dokumente përfshihen edhe transkripte komunikimesh mes astronautëve të Apollo 17 dhe qendrës së komandës, ku përshkruhen “grimca të ndritshme” dhe “fragmente me forma të çrregullta” që lëviznin pranë mjetit hapësinor.
Po ashtu, FBI ka publikuar fotografi të Vitit të Ri 1999, ku në të njëjtën pamje me avionë amerikanë shfaqen edhe objekte të tjera të paidentifikuara.
Pak muaj më parë, Trump reagoi edhe ndaj deklaratave të ish-presidentit Barack Obama, i cili kishte folur për ekzistencën e alienëve në një intervistë në një podcast.
“Ai zbuloi informacion të klasifikuar. Nuk duhej ta bënte këtë”, deklaroi Trump.
Më pas, përmes një postimi në Truth Social, presidenti amerikan njoftoi nisjen e procesit për deklasifikimin e dosjeve që lidhen me alienët, UFO-t dhe fenomenet ajrore të paidentifikuara.
“Nisur nga interesi i jashtëzakonshëm, do të udhëzoj Sekretarin e Luftës dhe departamentet e agjencitë përkatëse që të nisin procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), si dhe çdo informacion tjetër të lidhur me këto çështje tepër komplekse, por jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme. Zoti e bekoftë Amerikën!”, shkroi ai.
Publikimi është përshëndetur edhe nga drejtues të institucioneve amerikane, të cilët e kanë cilësuar si një moment historik për transparencën.
Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se “ka ardhur koha që populli amerikan t’i shohë vetë këto dosje”, ndërsa Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, tha se ky është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë deklasifikimi.
“Departamenti i Luftës është plotësisht në një linjë me Presidentin Trump për të sjellë transparencë mbi kuptimin që qeveria jonë ka për Fenomenet Anomale të Paidentifikuara. Këto dosje, të fshehura për vite me radhë pas klasifikimeve sekrete, kanë ushqyer prej kohësh spekulime të shumta dhe ka ardhur koha që populli amerikan t’i shohë vetë”, deklaroi Hegseth.
Edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, e cilësoi publikimin si “një nivel transparence që asnjë administratë e mëparshme nuk e ka ofruar”.
Nga ana tjetër, administratori i NASA-s, Jared Isaacman, tha se agjencia do të vazhdojë të ndjekë të dhënat shkencore dhe të jetë transparente për çdo zbulim që lidhet me fenomenet e panjohura në univers.
“Përgëzoj përpjekjen e Presidentit Trump për të sjellë më shumë transparencë për popullin amerikan mbi fenomenet anomale të paidentifikuara. Në NASA, detyra jonë është të përdorim mendjet më të ndritura dhe instrumentet më të avancuara shkencore, të ndjekim të dhënat dhe të ndajmë atë që mësojmë.
Do të vazhdojmë të jemi të sinqertë për atë që dimë se është e vërtetë, për atë që ende nuk e kuptojmë dhe për gjithçka që mbetet për t’u zbuluar. Eksplorimi dhe kërkimi i dijes janë në thelb të misionit të NASA-s”, tha Isaacman.







