Ballina Politika “Europa nuk është më një ëndërr naive”, Mesazhi i Jorida Tabaku për...

“Europa nuk është më një ëndërr naive”, Mesazhi i Jorida Tabaku për 9 Majin: Shqipëria ka nevojë për drejtësi, meritokraci dhe shtet ligjor

68
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar me rastin e Ditës së Europës përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se Bashkimi Europian nuk lindi si një projekt burokratik, por si përgjigje ndaj tragjedive që përjetoi kontinenti pas luftërave shkatërruese.

Në mesazhin e saj, Tabaku kujton figurat historike si Robert Schuman, Jean Monnet, Alcide De Gasperi, Konrad Adenauer dhe Winston Churchill, të cilët sipas saj besuan se paqja nuk mund të ndërtohej vetëm mbi traktate, por përmes institucioneve të forta, ekonomisë së përbashkët dhe vlerave demokratike që bashkojnë kombet europiane.

Deputetja e PD-së nënvizon se sot Europa përballet me sfida të reja, duke përmendur sigurinë, konkurrencën globale, luftën në Ukrainë, teknologjinë dhe zgjerimin e Bashkimit Europian. Sipas saj, Europa nuk është më vetëm një projekt paqeje, por edhe “një projekt force, stabiliteti dhe sigurie”.

Duke iu referuar Shqipërisë, Tabaku shprehet se pas më shumë se tre dekadash, Europa nuk shihet më si një “ëndërr naive”, por si një nevojë konkrete për ndërtimin e shtetit ligjor, drejtësisë dhe meritokracisë.

“Është mundësia për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më europiane”, shkruan ajo.

Në përfundim, Tabaku rithekson se integrimi europian mbetet objektiv strategjik dhe historik për Shqipërinë, jo thjesht si slogan politik, por si bindje reale për transformimin e vendit dhe anëtarësimin e denjë në Bashkimin Europian.

Postimi i Tabakut:

Europa e Bashkuar nuk lindi si një projekt burokratik. Lindi nga hiri i një kontinenti të djegur nga luftërat, nga dëshira për të mos lejuar më kurrë që urrejtja, totalitarizmi dhe ndarjet të shkatërronin Europën.

Schuman, Monnet, De Gasperi, Adenauer apo Churchill besuan se paqja nuk ndërtohej vetëm me traktate, por me ekonomi të përbashkët, institucione të forta dhe vlera demokratike që bashkojnë kombet.

Sot Bashkimi Europian është përballë sfidave të tjera: sigurisë, konkurrencës globale, luftës në Ukrainë, teknologjisë dhe zgjerimit. Europa nuk është më vetëm një projekt paqeje. Është një projekt force, stabiliteti dhe sigurie.

Edhe për ne shqiptarët, pas më shumë se tre dekadash, Europa nuk është më një ëndërr naive. Është nevojë. Është shtet ligjor. Është drejtësi. Është meritokraci. Është mundësia për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më europiane.

Prandaj integrimi europian mbetet objektivi ynë strategjik dhe historik. Jo si slogan politik, por si bindje reale se Shqipëria mund të transformohet dhe të bëhet një anëtare e denjë e Bashkimit Europian.