Raporti vjetor i Prokurorit të Përgjithshëm mbi kriminalitetin tregon se veprat penale në lidhje me taksat dhe tatimet kanë shënuar rritje gjatë vitit 2025, edhe pse ato zënë vetëm 0.94% të totalit të procedimeve penale në shkallë vendi, me rritje nga 0.80% në vitin 2024. Edhe koeficienti i kriminalitetit është rritur ndjeshëm në 10.75 për 100 mijë banorë, nga 8.28 një vit më parë, duke treguar një intensifikim të këtij fenomeni.
Sipas të dhënave, numri i procedimeve të regjistruara për këto vepra është rritur me 27.64%, ndërsa çështjet e dërguara në gjykatë janë shtuar me 14.29% krahasuar me vitin 2024. Rritje shumë e fortë vihet re te të pandehurit e regjistruar, të cilët janë shtuar me 90.91%, ndërsa ata të dërguar për gjykim janë rritur me 33.33%. Në të kundërt, numri i të dënuarve ka rënë me 20.78%, duke treguar se jo të gjitha rastet përfundojnë me dënim.
Profili i të pandehurve tregon se 85.23% janë meshkuj dhe 14.77% femra, të gjithë në moshë madhore. Sa i përket arsimit, 58.34% kanë arsim të mesëm, 30.95% arsim të lartë dhe 10.71% deri në 9-vjeçar. Pjesa dërrmuese, 92.86%, janë të punësuar në sektorin privat, ndërsa janë evidentuar edhe 5 shtetas të huaj të përfshirë në këto vepra. Nga pikëpamja e vendbanimit, 93.33% jetojnë në qytet dhe vetëm 6.67% në zonat rurale, ndërsa 96.97% rezultojnë të padënuar më parë.
Shpërndarja gjeografike tregon se Tirana kryeson me 29% të procedimeve, e ndjekur nga Durrësi dhe Vlora me nga 10%, si dhe Shkodra dhe Korça me nga 9%, ndërsa Gjirokastra ka vetëm 1% të rasteve në shkallë vendi.
Sa u përket llojeve të shkeljeve, fshehja e të ardhurave është vepra kryesore, duke zënë 65.75% të rasteve në vitin 2025, nga 58.29% një vit më parë, dhe ka shënuar një rritje të fortë prej 43.97%. Edhe moslëshimi i kuponit apo faturës dhe ushtrimi i aktivitetit të paregjistruar përbën një pjesë të madhe, 26.38% të rasteve, me rritje të procedimeve nga 52 në 67, ose 28.85%. Në të kundërt, mospagimi i taksave dhe tatimeve ka rënë ndjeshëm, duke zbritur nga 24 në 16 procedime, ose 33.33% më pak, dhe zë vetëm 6.30% të rasteve.
Në aspektin e ndëshkimit, prokurorët kanë kërkuar dënim me burg në 78.12% të rasteve dhe gjobë në 21.88%, ndërsa gjykatat kanë vendosur dënim me burg në 80.33% të rasteve dhe gjobë në 19.67%. Në 10.81% të rasteve është dhënë pafajësi.
Në shumë raste është aplikuar pezullimi i dënimit dhe vendosja në provë, konkretisht në 65.31% të të pandehurve./ekofin.al







