Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvend një nismë ligjore që synon të lehtësojë barrën financiare për pensionistët që zgjedhin të qëndrojnë aktivë në tregun e punës. Projektligji propozon përjashtimin e përkohshëm të kësaj kategorie nga detyrimi për të paguar kontributet e sigurimeve shoqërore në degën e pensioneve.
Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, llogaritet se në Shqipëri janë aktualisht rreth 13,000 pensionistë që vazhdojnë të jenë aktivë në procese pune.
Nisma argumenton se legjislacioni aktual krijon një “efekt dekurajues” duke i detyruar ata të paguajnë kontribute ndërkohë që tashmë e kanë fituar të drejtën e pensionit.
“Ky projektligj synon të adresojë një problematikë të qartë në praktikën ekonomike dhe sociale: dekurajimin e pensionistëve për të vijuar aktivitetin ekonomik për shkak të barrës së dyfishtë të kontributive” – thuhet në relacionin e dorëzuar në Kuvend.
Kush përfiton?
Propozimi i deputetit Cara parashikon shtimin e një neni në ligjin ekzistues të sigurimeve shoqërore. Përfituesit e këtij përjashtimi do të jenë:
Pensionistët e punësuar në sektorin privat apo publik.
Pensionistët e vetëpunësuar, përfshirë tregtarët, profesionistët e licencuar dhe zejtarët.
Përjashtimi nga kontributet do të ketë një karakter të përkohshëm prej 4 vitesh. Relacioni sqaron se kjo periudhë pa kontribute nuk do të njihet si periudhë sigurimi për efekt rillogaritjeje apo shtesash mbi pensionin ekzistues, duke ruajtur kështu “integritetin e skemës”.
Një nga shtyllat kryesore të këtij propozimi të opozitës është formalizimi i ekonomisë. Duke hequr barrën e kontributeve, synohet që kjo kategori të deklarojë aktivitetin e saj dhe të mos operojë në “të zezë”.
Sipas dokumentit, ndikimi në buxhetin e shtetit vlerësohet të jetë neutral ose pozitiv në afatmesëm. Edhe pse mund të ketë një rënie të lehtë të të ardhurave direkte nga sigurimet, kjo pritet të kompensohet nga “rritja e të ardhurave tatimore indirekte” dhe rritja e konsumit të deklaruar nga kjo kategori.
Projektligji tashmë ka kaluar për procedurë parlamentare dhe pritet të shqyrtohet në komisionet përkatëse, ku opozita kërkon që ky propozim të shihet si “prioritet i Kuvendit pa dallime partiake”.
Megjithëkëtë, deri tani PS, nuk ka votuar asnjë nismë që vjen nga opozita edhe kur i ka parë të dobishme. Mazhoranca i ka rrëzuar në parim dhe muaj më pas, është rikther me të njëjtën iniciativë po me firmë socialiste.







