Ballina Aktualitet Sherri për vakancat në Apel thellon krizën në Këshillin e Lartë të...

Sherri për vakancat në Apel thellon krizën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, zbardhet arsyeja e përplasjes mes Bogdanit dhe Stojanit

68
0

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk ka ende një vendim nëse do t’i plotësojë apo jo vakancat e Prokurorisë së Apelit, të cilës i mungojnë nëntë prokurorë. Mbledhja e fundit ka degraduar me tone ofenduese mes anëtarit të KLP Sokol Stojani dhe kryetares Mirela Bogdani. Katër anëtarë ku bën pjesë Sokol Stojani votuan mos hapjen e vakancave sepse nga kjo palë e votueseve ata synojnë t’i mbajnë bosh vendet për prokurorë që janë emëruar inspektorë  në ILD dhe për prokurorët e SPAK që ju përfundon mandati së shpejti.

Pesë anëtarë te tjerë të KLP janë ndarë në dy grupe duke votuar hapjen e vakancave me kuota të caktuara dhe  ky votim ka shkaktuar përplasje.Edhe në një mbledhje të mëparshme anëtarët u përplasën nëse duhej zgjatur apo jo transferimi me pëlqim i katër prokurorëve qe ju ka mbaruar afati. Këshilli doli pa vendim ndonëse më herët KLP ka shpallur qëndrim për mbarimin e transferimit të disa prokurorëve në Elbasan.

Qëndrimi i 4 prokurorëve nga rrethet pa vendim këshilli në Tiranë pritet të sjellë reagim të avokatëve qe do të kundërshtojnë si të pavlefshme veprimet hetimore. Kriza e KLP ka një vit që ka ndarë në mënyrë të paprecedentë anëtarët e KLP, të cilët sakaq gjenden në prag të çeljes për garën e prokurorit të përgjithshëm pasi aktualit i mbaron mandati në dhjetor 2026.

Gara sipas ligjit duhet hapur në shtator por përderisa ligji i jep mundësinë edhe personave jashtë sistemit që të konkurrojnë, procedurat nga KLP duhen hapur brenda majit në mënyrë që institucionet të kenë kohë të mjaftueshme për verifikimet.