Ballina Aktualitet Tenderat/ Raporti i KLSH-së rrëzon Ramën: Dobësi të vazhdueshme

Tenderat/ Raporti i KLSH-së rrëzon Ramën: Dobësi të vazhdueshme

69
0

Kryeministri Edi Rama nuk e pati aspak problem të deklaronte fort se Shqipëria, nën drejtimin e tij, ka pasur ecuri të jashtëzakonshme në fushën e tenderave. Me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë të lartë nën akuzë për shkelje me tenderat, Rama tentoi të bindë shqiptarët se vendi ynë ecën në krah të Gjermanisë për sa i përket konkurrencës në procedurat e prokurimit publik.

Përballë kësaj fasade rozë të shefit të qeverisë, gjendet raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025. Në dokumentin e dorëzuar në Parlament, audituesit kanë një këndvështrim tërësisht të ndryshëm. “Auditimet kanë evidentuar dobësi të vazhdueshme në zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike, administrimit të pasurisë, menaxhimit të kontratave dhe disiplinës buxhetore”, thuhet në raport.

Më tej, vijohet: “Gjatë vitit 2025, KLSH ka kryer auditime, nga të cilat janë evidentuar mangësi në drejtim të planifikimit dhe zbatimit të buxhetit, realizimit të procedurave të prokurimit publik”. Edhe më tej, raporti thekson se: “Nga auditimet u konstatuan problematika në përllogaritjen e fondit limit, problematika në hartimin e kritereve të veçanta të kualifikimit, të cilat nuk rezultojnë të jenë në përputhje me natyrën, përmasën dhe kompleksitetin e kontratës, duke mos nxitur konkurrencën dhe duke ndikuar në ekonomicitetin, eficiencën dhe efektivitetin e përdorimit të fondeve publike”.

Gjatë vitit 2025, qeveria shqiptare shënoi rekordin më negativ në mënyrën se si janë menaxhuar tenderat publikë. Një seri kallëzimesh të dorëzuara kryesisht nga opozita përfunduan me arrestimin ose marrjen nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme të një sërë zyrtarësh të lartë.

Ish-numri dy i qeverisë, Belinda Balluku, është nën akuzë zyrtare për procedura tenderuese me fond mbi 1 milion euro. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbahet nën arrest për akuza që lidhen me kanalizimin e fondeve publike në llogaritë e bashkëshortes së tij. Ish-ministri Ilir Beqaj dhe një dyzinë zyrtarësh të tjerë janë arrestuar apo dënuar për aferat e koncesioneve në Shëndetësi dhe inceneratorë.