Emërimi i Esmeralda Hasanit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit ka tërhequr vëmendjen e medias së specializuar franceze për çështjet e inteligjencës dhe diplomacisë, ‘Intelligence Online’, e cila në një artikull të publikuar më 13 nëntor 2026 ndalet te marrëdhëniet e saj të mëparshme profesionale me institucione italiane dhe interesat e Romës në nivelet më të larta të inteligjencës shqiptare.
Me titullin “Një aset i ri për Romën në nivelet më të larta të inteligjencës shqiptare”, media franceze ngre pikëpyetje mbi rëndësinë që mund të ketë ky emërim për interesat strategjike të Italisë në Shqipëri. Sipas ‘Intelligence Online’, Esmeralda Hasani ka qenë e angazhuar më parë si konsulente në kuadër të projekteve të lidhura me institucionet italiane.
Një prej elementeve konkrete të përmendura është një pagesë prej 3.834 eurosh nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS). Në regjistrin publik të pagesave të këtij institucioni figuron një pagesë e kryer më 16 prill 2025, për shërbime konsulence të lidhura me një faturë të vitit 2024.
Ky detaj është një prej pikave ku mbështetet analiza e medias franceze për të shqyrtuar marrëdhëniet e drejtueses së re të SHISH-it me institucionet italiane.
Artikulli e lidh emërimin e Hasanit me interesin e qeverisë italiane për të thelluar bashkëpunimin me Tiranën, veçanërisht në kuadër të marrëveshjes për emigrantët.
Marrëveshja mes dy vendeve parashikon funksionimin e strukturave në Shëngjin dhe Gjadër, të cilat janë pjesë e strategjisë së kryeministres italiane Giorgia Meloni për menaxhimin e migracionit.
Emërimi i Esmeralda Hasanit vjen në një moment delikat për Shërbimin Informativ të Shtetit, pas largimit të drejtueses së mëparshme, Vlora Hyseni.
Publikimi i Intelligence Online rikthen në vëmendje një çështje të rëndësishme: transparencën e marrëdhënieve profesionale të drejtuesve të institucioneve të sigurisë me organizata dhe institucione të huaja.
Kujtojmë se Presidenti i Republikës deklaroi një ditë më parë pas dekretimit të Hasanit se ka bërë të gjitha verifikimet e nevojshme për emrin e saj.







