Ballina Europë ​49 të prekur nga gastroenteriti në një anije në Francë me 1000...

​49 të prekur nga gastroenteriti në një anije në Francë me 1000 pasagjerë

73
0

Mbi 1 mijë pasagjerë po mbahen në një anije turistike të operuar nga Britania e Madhe në Francë, pasi 49 persona janë sëmurë nga gastroenteriti. Autoritetet lokale në Bordo kanë bërë të ditur se tre pasagjerë janë izoluar në kabinat e tyre në anijen “Ambition”, ndërsa pasagjerët e tjerë nuk do të lejohen të zbresin në port.

Ata shtuan se “nuk ka arsye” që shpërthimi të lidhet me rastin e hantavirusit në një tjetër anije turistike, shkruan BBC, transmeton KosovaPress. Kompania “Ambassador Cruise Line” deklaroi për BBC se “një numër mysafirësh dhe anëtarësh të ekuipazhit në bordin e anijes Ambition kanë shfaqur ose po shfaqin simptoma në përputhje me një sëmundje gastrointestinale”.

Sipas kompanisë, janë zbatuar masa të shtuara të sanitimit dhe protokolle parandaluese në të gjithë anijen, “në përputhje me procedurat e përcaktuara të shëndetit publik pas raportimeve fillestare për sëmundjen”. Kompania njoftoi se deri në orën 11:00 sipas kohës britanike të mërkurën, 48 pasagjerë dhe një anëtar i ekuipazhit kishin shfaqur simptoma të sëmundjes gastrointestinale.

Në bord të anijes ndodhen aktualisht 1,187 pasagjerë dhe 514 anëtarë të ekuipazhit. Anija turistike kishte nisur udhëtimin nga Belfasti më 8 maj, ndërsa një ditë më vonë kishte ndaluar në Liverpul.