Një incident i rëndë u regjistrua këtë të enjte në Serbi, ku një automjet u fut mes një proteste studentore pranë Fakultetit të Drejtësisë në Beograd, duke plagosur një 90-vjeçar
Shoferi tentoi të kalonte me forcë mes turmës, por u ndal nga protestuesit. Pas debatit, ai doli nga makina dhe sulmoi disa prej pjesëmarrësve në protestë.
Më pas, drejtuesi i mjetit hipi sërish në automjet dhe bëri marsh pas, duke përplasur një të moshuar rreth 90 vjeç dhe duke tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes.
Studentët deklaruan në rrjetet sociale se një student i Fakultetit të Drejtësisë u godit fizikisht nga shoferi gjatë përplasjes.
Në zonë ndodheshin forca të shumta policie, të cilat sipas protestuesve fillimisht nuk ndërhynë. Policia reagoi vetëm pasi u plagos i moshuari, duke arrestuar autorin.
I plagosuri u transportua me ambulancë në spital, ku mediat raportojnë se ka pësuar frakturë në kofshë.







