Ambasadori amerikan Eric Wendt po zhvillon një takim prezantimi me kryeministrin Edi Rama, pas nisjes së misionit të tij në Shqipëri.
“WELCOME”, shkruan Rama në postimin e tij, shoqëruar me flamujt e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Kujtojmë që diplomati amerikan mori zyrtarisht detyrën me 26 shtator ku paraqiti edhe letrat kredenciale te Presidenti Bajram Begaj.
Ambasada amerikane tha se Wendt dhe Begaj “riafrimuan partneritetin e fortë” mes dy shteteve dhe biseduan për “çuarjen përpara të përparësive të administratës së presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale”.
Wendt e nis mandatin në Shqipëri në një kohë kur vendi po përballet me zhvillime të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit. Për më shumë se 100 ditë, protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Qeverisë së tij.
Ndërkaq, nisja e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, nën dyshime për zbulim të të dhënave sekrete në interes të një personi të akuzuar për vepra penale, ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë kombëtare, por edhe marrëdhëniet e Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s, me partnerët.
Eric Wendt është ambasadori i 11-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë që prej vitit 1991, kur mes dy vendeve u rivendosën marrëdhëniet diplomatike.
Ai pason në këtë detyrë Yuri Kim, ndërsa prej vitit 2023 ambasada e SHBA-ve është drejtuar nga Nancy VanHorn si e ngarkuar me punë.







