Ballina Ekonomia Nis fshirja e borxheve, Tatimet – bizneseve: Nga data 10 qershor do...

Nis fshirja e borxheve, Tatimet – bizneseve: Nga data 10 qershor do paguani detyrimet që t’iu fshihen gjobat e kamatat

77
0

Brenda këtij viti administrata tatimore dhe ajo doganore duhet të fshijnë nga bilancet e tyre, çdo borxh që kanë bizneset, të cilat janë krijuar përpara 31 dhjetorit të vitit 2014. Drejtoria e Tatimeve njofton bizneset që kanë detyrime të papaguara nga 2015-2024-ën se do mund të paguajnë këstet nga data 10 qershor.

Janë gati 1 miliardë euro detyrime të krijuara nga vitet 90’ deri në fund të 2014-ës që do të fshihen brenda 31 dhjetorit 2026. Këtu përfshihet dhe falja e gjobave dhe kamatëvonesave për detyrimet e papaguara të sigurimeve deri në 2014-ën.

Ndërsa borxhet tatimore dhe doganore 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet. Nëse 50 përqind e borxhit të krijuar nga janari 2015 deri më 31 dhjetor të vitit 2020, paguhet menjëherë deri në qershor 2026, gjysma tjetër falet, bashkë me gjobat e kamatat. Nëse pagesa bëhet me këste, deri në fund të dhjetorit 2026, do të falet vetëm 25 përqind e detyrimit.

Hyn në fuqi udhëzimi për ‘Marrëveshjen e Paqes Fiskale’, bizneset e mëdha do mund të negociojnë fitimin e tyre në këmbim të tatimit të ulët
Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, do të përfitojnë falje të gjobave dhe kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda vitit 2026.

Kurse për detyrimet për sigurimet shoqërore, do të falen gjobat e kamatat e 10-vjeçarit të fundit (2015-2024) nëse bizneset do të paguajnë 100% të kontributit brenda datës 31 dhjetorit 2026.

Nga kjo nismë e qeverisë që u miratua më 12 dhjetor të vitit që lamë pas preken gati 2.1 miliardë euro detyrime të papaguara në dekada, dhe përfitojnë më shumë se 200 mijë biznese debitorë.

Brenda datës 31 janar 2027 organet tatimore dhe doganore do të publikojnë në faqen zyrtare të institucionit, listën e plotë të 3000 tatimpaguesve që kanë përfituar nga ky ligj. Në nenin 3 pika ç thuhet se në listë do të përfshihen të gjithë subjektet, të cilave u është fshirë detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë.

Kategoritë e detyrimeve që përfitojnë nga fshirja/shuarja

1-Detyrimet tatimore deri më 31 dhjetor 2014

Fshihen plotësisht detyrimet tatimore të papaguara që i përkasin periudhave tatimore deri më 31.12.2014, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat. Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi principal.

-Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2019

*Shuhet 50% e detyrimit principal, nëse 50% e mbetur paguhet njëherësh nga 10.06.2026 deri më 30.06.2026;

*Shuhet 25% e detyrimit principal, nëse 75% e mbetur paguhet nga 10.06.2026 deri më 31.12.2026.Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.

-Detyrimet tatimore për periudhën 1 janar 2020 – 31 dhjetor 2024

Fshihen gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që tatimi për periudhën përkatëse të paguhet i plotë (100% e principalit) nga data 10.06.2026 deri më 31.12.2026.

Përfitime të tjera të parashikuara nga ligji

Sipas ligjit nr. 86/2025:

-Fshihen detyrimet për subjektet e çregjistruara në QKB ose me vendim gjykate deri më 31.12.2024, pervec kontributeve te sigurimeve shoqerore dhe shendetesore;

-Fshihen gjobat për mosdeklarim ose deklarim të vonuar të deklaratave që i përkasin periudhave deri në 31.12.2024, me kusht që deklaratat e padorëzuara të dorëzohen deri më 30.06.2026;

-Fshihen gjobat për dorëzim të vonuar të pasqyrave financiare dhe vendimit për destinimin e rezultatit, të llogaritura deri më 31.12.2024;

-Fshihen gjobat dhe interesat e krijuara nga ndryshimet e listëpagesave si pasojë e akteve ligjore/nënligjore me efekt prapaveprues ose vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

-Fshihen gjobat administrative për periudhat deri më 31.12.2024.

Subjektet që nuk përfitojnë

Nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve subjektet që:

-Janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore;

-Janë në proces gjyqësor ose hetimi për vepra penale tatimore dhe/ose doganore gjatë periudhës së zbatimit të ligjit;

-Kanë vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Administratës Tatimore apo Doganore për detyrimet objekt përfitimi.