Ballina Rajoni Drejtori i Policisë së Beogradit në pranga, dyshohet për fshehje vrasjeje dhe...

Drejtori i Policisë së Beogradit në pranga, dyshohet për fshehje vrasjeje dhe zhdukje trupi

48
0

Rënie nga maja e pushtetit në qelinë e paraburgimit. Një nga njerëzit më të fuqishëm të aparatit të sigurisë në Serbi, drejtori i Policisë së Beogradit, Veselin Milić, është arrestuar nën dyshimet se jo vetëm kishte dijeni për një krim të rëndë, por edhe se ka ndihmuar në fshehjen e tij dhe zhdukjen e trupit të viktimës.

Sipas hetimeve, ngjarja lidhet me zhdukjen misterioze të një 52-vjeçari, i cili u pa për herë të fundit në një restorant në zonën elitare të Senjakut në Beograd. Ajo që filloi si një rast zhdukjeje, po kthehet në një skandal që trondit vetë zemrën e strukturave të sigurisë serbe.

Prokuroria ka ngritur dyshime të rënda ndaj Milić për moskallëzim krimi dhe ndihmë ndaj autorit të dyshuar të vrasjes. Menjëherë pas arrestimit, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi shkarkimin e tij nga detyra, duke vulosur rënien spektakolare të një prej figurave më të fuqishme të policisë në vend.

Në pranga kanë përfunduar edhe pronari dhe kamerieri i restorantit ku u pa për herë të fundit viktima, si dhe dy persona të tjerë të dyshuar për tentativë vrasjeje. Hetimet po zgjerohen mes dyshimeve se pas zhdukjes fshihet një zinxhir i tërë mbulimi dhe heshtjeje që prek nivele të larta të sistemit të rendit.