Ballina Dossier “Kapedan Sali Vranishti sa rrojti i punoi gishti”/ Luftëtari që nuk e...

“Kapedan Sali Vranishti sa rrojti i punoi gishti”/ Luftëtari që nuk e ndau kurrë fatin e tij nga i Shqipërisë

63
0

Nga Evarist Beqiri 

Ekzistojnë disa burra që historia nuk i mban vetëm nëpër libra, por në ndërgjegjen e kombit. Njëri prej tyre është edhe Kapedani Sali Vranishti. Bashkëpunëtori besnik i “Atit Themelues” Ismail Qemal Vlorës. Luftëtari që nuk e ndau kurrë fatin e tij nga fati i Shqipërisë.

Libri i botuar së fundmi, “Sali Vranishti – Kapedani që nuk i mbyll sytë as në bronz” është një kujtesë për burrërinë, besën, sakrificën dhe përkushtimin ndaj atdheut. Ata burra nuk kërkuan lavdi personale. Ata burra mbajtën mbi supe fatin e kombit në ditët më të vështira.

Para se të jepte dorëheqjen si Kryeministri i parë i Shqipërisë, Ismail Qemal Vlora bisedon me Sali Vranishtin për të ardhmen e Shqipërisë. Kapedani foli me disa fjalë që janë një testament politik dhe kombëtar: “Bej, ju ktheheni në “delfin” dhe merrni detin, unë kthehem në “derr” dhe marr malin… po fati i këtij populli si do të shkoj…?” Në këtë fjali zbulohet dhimbja, largpamësia dhe përgjegjësia historike. Ata burra nuk mendonin për pushtetin e tyre, por për fatin e Shqipërisë.

Marrëdhënia mes Ismail Qemal Vlorës dhe Sali Vranishtit mbart një ngarkesë të madhe simbolike. Fakti që Ismail Qemali e caktoi Sali Vranishtin si “mbajtës të armëve”, në terminologjinë osmane “Silahdari”, nuk ishte një rol ceremonial i zakonshëm. Në traditën e kohës, “Silahdari” ishte një nga njerëzit më të afërt dhe më besnikë të një personaliteti të lartë shtetëror. Ai mbante armët e tij, por mbi të gjitha mbante besimin, sigurinë dhe nderin e tij.

Në kulturën politike të kohës, ky funksion kishte tre dimensione. Besnikëri personale absolute. Përgjegjësi për mbrojtjen fizike të prijësit dhe status nderi pranë tij. Ismail Qemal Vlora nuk zgjodhi thjesht një truprojë. Ai zgjodhi një njeri të besës, trimërisë dhe karakterit. Kjo shpjegon edhe intimitetin politik e njerëzor të dialogut mes tyre para largimit nga pushteti.

Fjalët e Sali Vranishtit nuk janë fjalët e një ushtari të zakonshëm, por të një bashkëudhëtari të besuar që kishte qenë pranë themeluesit të shtetit shqiptar në momentet më kritike. Në traditën shqiptare, sidomos në Labëri, “mbajtësi i armëve” nuk ishte vetëm ai që mbante pushkën, por ai që mbante nderin e burrit që i shërbente.

Ismail Qemal Vlora simbolizon diplomacinë dhe shtetin. Sali Vranishti simbolizon forcën, besën dhe mbrojtjen e tij në terren. Prandaj, dialogu i tyre për fatin e Shqipërisë bëhet edhe më dramatik, sepse vjen nga dy njerëz që e kishin ndërtuar raportin mbi besimin dhe sakrificën për kombin.

Në një kuptim më të gjerë, ky dialog tingëllon aktual edhe sot. Pyetja “po fati i Shqipërisë si do shkoj…?” është një pyetje që na shoqëron brez pas brezi, kur vendi përballet me kriza morale, politike apo kombëtare.

Këto fjalë janë skalitur në kujtesën popullore. Ato nuk flasin vetëm për një çast historik, por për ankthin e përhershëm të shqiptarëve për fatin e shtetit të tyre. Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të rikthehemi te këto figura. Jo për nostalgji, por për orientim moral e kombëtar. Një komb pa kujtesë historike e humbet busullën e vet.

Populli në vargje thotë: “Kapedan Sali Vranishti sa rrojti i punoi gishti…” Ndërkohë, sot ne kemi nevojë që të na punoj akoma më shumë “mendja”…

Ismail Qemal Vlora u kritikua dhe u sulmua nga kundërshtarët e tij, për emërimin e Kapedan Sali Vranishtit dhe të disa patriotëve të tjerë në poste kyçe të administratës së re të shtetit shqiptar, sepse, ata nuk kishin shkollimin dhe gradat e përshtatshme. Por, ata kishin atë që ju mungonte shumë të tjerëve, pavarësisht shkollimit, gradave dhe pasurisë…Ata kishin karakterin dhe shpirtin e pastër të sakrificës në shërbim të Shqipërisë.

Koha i dha të drejtë Ismail Qemal Vlorës dhe jo atyre që në momentin më vendimtar të historisë tonë moderne e tradhëtuan çështjen kombëtare. Ata donin që ti tregonin botës së nuk ekziston një komb dhe një shtet shqiptar i përbashkuar. Por ekziston një Shqipëri e Mesme, një e Veriut dhe një e Jugut…

“Sali Vranishti – Kapedani që nuk i mbyll sytë as në bronz” është një homazh për një brez që i dha Shqipërisë dinjitet, rezistencë dhe identitet.

Kur Sali Vranishti thotë: “Bej, ju ktheheni në delfin dhe merrni detin, unë kthehem në ‘derr’ dhe marr malin…”, ai përdor mjeshtërisht ngjyresat e gjuhës popullore dhe metaforën krahinore për të shprehur ndarjen e rrugëve dhe rikthimin e secilit në hapësirën e vet natyrore.

Pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria nuk ishte ende një shtet i konsoliduar. Ajo ishte e rrethuar nga armiq, e përçarë nga interesa të brendshme dhe nën presionin e Fuqive të Mëdha. Dorëheqja e Ismail Qemalit nuk ishte thjesht largimi i një kryeministri, por shikohej si një rrezik për vetë fatin e shtetit të ri.

Në thelb, këto fjalë tregojnë tre gjëra. Ankthin për mbijetesën e Shqipërisë. Besnikërinë personale dhe politike mes burrave të asaj kohe. Vetëdijen se individët largohen, por kombi mbetet përgjegjësi e përhershme. Por, ato kanë edhe një dimension tragjik…

Brezi i tyre e dinte se Shqipëria ishte shpallur e pavarur, por ende jo e sigurt. Prandaj, këto fjalë mbeten si një testament kombëtar. Jo triumf, por merak për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse këto fjalë mbeten kurdoherë aktuale. Ato na kujtojnë se shteti mbahet në këmbë me përgjegjësi, sakrificë dhe vetëdije historike.