Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën konsensus për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, të cilat u miratuan me 100 vota pro, ndërsa kundër votoi vetëm deputeti Redi Muçi nga Lëvizja Bashkë. Në votim, 35 deputetë të pranishëm nuk morën pjesë.
Pas negociatave mes palëve, PS hoqi dorë nga disa prej propozimeve të saj më të debatueshme, si procedura e përshpejtuar për ligjet e BE-së, përgjysmimi i kohës së diskutimeve dhe kufizimi i raportimeve të institucioneve kushtetuese.
Ndryshimet parashikojnë që institucionet të raportojnë në komisionet parlamentare, forcim të kontrollit parlamentar dhe detyrimin e komisioneve për të zhvilluar mbledhje me kërkesë të opozitës. Gjithashtu, seancat plenare nuk do të zgjasin më pas orës 22:00, por do të rifillojnë ditën tjetër, ndërsa masat disiplinore ndaj deputetëve do të pezullohen nëse ankimohet vendimi.







