Fansat e Emily in Paris do të duhet t’i thonë lamtumirë një prej serialeve më të suksesshme romantike të viteve të fundit. Netflix njoftoi zyrtarisht se sezoni i gjashtë i serialit do të jetë edhe i fundit. Lajmi u bë publik të enjten, ndërsa xhirimet për sezonin final kanë nisur tashmë në Greqi. Krijuesi i serialit, Darren Star, e quajti eksperiencën “udhëtimi i jetës”.
“Të realizosh ‘Emily in Paris’ me këtë kast dhe ekip ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Ndërsa nisim sezonin final, jam shumë mirënjohës ndaj Netflix, Paramount dhe mbi të gjitha ndaj fansave që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi me ne”, u shpreh ai.
Lajmi u shoqërua edhe me foto nga prapaskenat dhe një video të publikuar në rrjetet sociale nga vetë Lily Collins, e cila luan personazhin kryesor Emily Cooper.
“Pas gjashtë vitesh të paharrueshme duke luajtur Emily-n, dua t’ju tregoj se sezoni i ardhshëm do të jetë i fundit”, tha aktorja në video. Ajo premtoi se sezoni i gjashtë do të sjellë gjithçka që fansat duan nga seriali dhe do të jetë “kapitulli final i aventurës së Emily-t”.
“I gjithë ekipi po jep maksimumin për ta bërë këtë një sezon lamtumire të paharrueshëm. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës dhe ju duam shumë. À bientôt!”, shtoi Collins.
Netflix kishte konfirmuar më herët se sezoni i gjashtë do të xhirohej në dy destinacione të reja spektakolare: Greqi dhe Monaco. Seriali u konfirmua për sezonin e gjashtë në janar, pas suksesit të madh të sezonit të pestë. Në sezonin e kaluar, Emily dukej sikur më në fund po gjente ekuilibrin në Itali, derisa një ide pune shkaktoi probleme të mëdha në jetën e saj personale dhe profesionale.
Emily in Paris debutoi në tetor të vitit 2020 dhe shumë shpejt u kthye në një fenomen global falë kombinimit të romancës, modës luksoze dhe pamjeve ikonike të Parisit. Përveç Lily Collins dhe Ashley Park, në kast bëjnë pjesë edhe Philippine Leroy-Beaulieu, Lucas Bravo, Samuel Arnold, Bruno Gouery, William Abadie dhe Lucien Laviscount. Edhe pse fansat do të trishtohen nga fundi i serialit, krijuesit premtojnë se sezoni final do të jetë më emocionues se kurrë më parë.







