Aktorja fituese e çmimit Oscar, Lupita Nyong’o, ka reaguar ndaj kritikave raciste pas përzgjedhjes së saj në filmin e ri të Christopher Nolan, The Odyssey.
Nyong’o do të interpretojë Helenën e Trojës dhe Klitemnestrën në adaptimin e poemës epike të Homerit, në një kast që përfshin Matt Damon, Anne Hathaway, Tom Holland, Robert Pattinson dhe Zendaya. Filmi pritet të dalë në kinema më 17 korrik dhe konsiderohet një nga premierat më të mëdha të verës.
Pas publikimit të lajmit për kastin, aktorja u përball me reagime negative në rrjetet sociale, ku disa përdorues pretenduan se një aktore me ngjyrë nuk mund të interpretonte figurën e Helenës së Trojës. Në një intervistë për revistën Elle, Nyong’o i hodhi poshtë kritikat, duke theksuar se bëhet fjalë për një histori mitologjike dhe se filmi synon të përfaqësojë botën moderne përmes një kasti të larmishëm.
“Është një histori mitologjike. Kasti ynë është përfaqësues i botës. Kritika do të ekzistojë pavarësisht nëse angazhohem me të apo jo”, deklaroi ajo.
Ndër kritikët ishte edhe Elon Musk, i cili sulmoi publikisht zgjedhjen e Nolanit në platformën X, duke pretenduar se regjisori kishte “humbur integritetin”. Musk vazhdoi kritikat edhe pas publikimit të imazheve të reja të aktores në rol.
Nga ana tjetër, Christopher Nolan mbrojti vendimin e tij, duke thënë se Nyong’o ishte zgjedhja e parë për rolin. Sipas tij, “forca dhe qetësia” që aktorja sjell në ekran ishin thelbësore për personazhin e Helenës.
Edhe aktori Alec Baldwin reagoi në mbështetje të Nyong’o, duke postuar në rrjetet sociale se ajo “është gruaja më e bukur në botë”.
Rasti i Nyong’o është vetëm një nga shembujt e fundit të aktorëve me ngjyrë që përballen me sulme raciste për interpretimin e personazheve që publiku tradicionalisht i percepton si të bardhë. Më herët, Paapa Essiedu u përball me kërcënime raciste pas përzgjedhjes si Profesor Snape në serialin e ri Harry Potter, ndërsa Leah Jeffries u sulmua online për rolin e saj në Percy Jackson and the Olympians.







