Falënderimet publike të Gazmend Bardhit një ditë më parë, duket se zbuluan më shumë sesa thjesht mirësjellje parlamentare. Ato nxorën në pah njeriun që sipas të gjitha gjasave negocioi paktin më të fundit mes PD dhe PS për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit: Niko Peleshin.
Pas një letre të gjatë me akuza kundër Peleshit, të cilën Bardhi ua nisi të gjitha ambasadave me seli në Tiranë, ajo që pritej normalisht ishte një reagim institucional i Kryetarit të Kuvendit. Akuza të rënda për shkelje të përsëritura të rregullores, të denoncuara jo vetëm politikisht, por edhe diplomatikisht.
Por reagimi nuk ndodhi.
Deri tani, sekretaria e Peleshit nuk ka publikuar asnjë qëndrim ndaj akuzave të Bardhit. Asnjë sqarim. Asnjë përgënjeshtrim. Asnjë nervozizëm institucional. Në vend të përgjigjes pati negociata.
Dhe negociatat prodhuan atë që sot quhet “konsensus” për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, me justifikimin formal të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte rrëzuar ndryshimet e bëra nga Taulant Balla në nisje të legjislaturës.
Askush nuk priste që socialistët të hiqnin dorë nga kontrolli mbi organizimin e komisioneve parlamentare. Aq më pak të reduktonin peshën e Komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj. Por ajo që ndodhi shkoi shumë më larg se kaq.
Risia e vërtetë e ndryshimeve ishte zgjerimi i kompetencave të Komisionit Xhafaj deri në pikën që rezolutat e komisioneve të përhershme, përpara se të shkojnë në seancë plenare, praktikisht kalojnë në filtrin dhe kontrollin e komisionit të drejtuar prej tij.
Dhe pikërisht këtu nisi edhe rebelimi i heshtur brenda vetë PS-së.
Përpara dhe pas perdeve, shumë deputetë socialistë shpreheshin kundër ndryshimeve të nenit 103, që i jepnin Xhafajt kompetenca të reja dhe një rol dominues mbi procesin parlamentar. Kryetarë komisionesh, deputetë të maxhorancës dhe figura të PS-së e konsideronin ndryshimin si një deformim të skemës normale të funksionimit të komisioneve parlamentare.
Por në negociatën e drejtuar sipas gjasave nga Niko Peleshi, nuk u mor parasysh asnjë kundërshti, asnjë “qejfmbetje”, asnjë rezervë e njerëzve të tij politikë. Peleshi zgjodhi të mbyllte marrëveshjen me Gazmend Bardhin edhe me koston e përplasjes me socialistët e vet.
Dhe ironia është se sot vetë socialistët flasin për një marrëveshje që forcoi më shumë Fatmir Xhafajn sesa vetë Kuvendin.
Pyetja tani mbetet: Niko Peleshi kishte hallin të demonstronte lidershipin e Gazmend Bardhit apo akuzat e Bardhit ndaj tij ishin të vërteta?
Sepse faktet deri tani janë kokëforta.
Gazmend Bardhi ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet e mëparshme të Rregullores. Gjykata i rrëzoi ato. Më pas, nën negociimin e Nikos Peleshi, po Gazmend Bardhi bindi grupin e PD-së të votonte jo vetëm ndryshimet që Kushtetuesja kishte rrëzuar, por edhe ndryshime të tjera që as vetë maxhoranca nuk i kishte planifikuar në variantin e parë.
Mesa duket, ato kishin qenë në ëndrrat politike të Fatmir Xhafajt, i cili arriti t’i fusë në paketë si “variant kompromisi”.
Ndryshimet kaluan me 100 vota dhe jo më me 83. Një “konsensus” rekord për një paketë që shumë deputetë të PS-së e konsiderojnë sot si një nga produktet më të çoroditura që ka nxjerrë ndonjëherë Seanca Plenare.
Dhe ndërsa Niko Peleshi mendoi se e mbylli historinë duke bërë paqe me Gaz Bardhin, sot iu desh të dëgjonte sërish Sali Berishën që i rikthehej akuzave ndaj tij. Sepse në PD marrëveshjet kanë një problem të vogël: vlejnë vetëm derisa flet doktori.
Peleshi duket se besoi se duke marrë aprovimin e Gazit do të siguronte qetësi parlamentare. Por në atë parti, Gazmend Bardhi mund të negociojë shumë gjëra, përveç një gjëje: garancive.
Dhe kështu, pas gjithë sakrificës për “konsensusin”, Peleshi arriti diçka të rrallë në politikë: të prishte punë me të vetët, të forconte Fatmir Xhafajn dhe të mbetej përsëri nën zjarrin e Berishës./vna







