Ballina Kulturë Durrës/ Ministria e Kulturës hap thirrjen për ruajtjen e Amfiteatrit, Forumit dhe...

Durrës/ Ministria e Kulturës hap thirrjen për ruajtjen e Amfiteatrit, Forumit dhe Termave Romake

78
0

Me një vlerë prej mbi 680 mijë euro, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hapur thirrjen për ndërhyrjen e integruar që synon jo vetëm ruajtjen e monumenteve, por edhe mënyrën se si ato kuptohen, studiohen dhe përjetohen në kohë.

Në qendër të këtij transformimi qëndron Amfiteatri Romak i Durrësit, së bashku me Forumin Bizantin dhe kompleksin e Termave Romake, të cilat trajtohen si pjesë e një mozaiku të vetëm urban që dëshmon vazhdimësinë mijëravjeçare të qytetit.

Ndikimi i projektit nuk kufizohet vetëm në ndërhyrjet fizike, por shtrihet në krijimin e një sistemi të integruar historik, ku monumentet nuk shihen më si njësi të veçuara, por si pjesë e një narrative të përbashkët urbane.

Dokumenti teknik e trajton këtë nismë si një proces të avancuar konservimi dhe dokumentimi, ku përdoren teknologji digjitale dhe metoda joinvazive për të garantuar një analizë të detajuar të gjendjes së monumenteve.

Qasja e re synon të ndërtojë një model të qëndrueshëm menaxhimi të trashëgimisë kulturore, duke e kthyer procesin e konservimit në një veprim të vazhdueshëm shkencor dhe urban.

Në këtë kuadër, projekti parashikon edhe një vlerësim të plotë të gjendjes së monumenteve, ku evidentohen probleme si dëmtimet nga vegjetacioni, erozioni, lagështia dhe ndërhyrjet e papërshtatshme moderne.

Po ashtu, ndërtimet bashkëkohore mbi Amfiteatër dhe strukturat e ngritura mbi Termat Romake vlerësohen si faktorë që ndikojnë në konservimin dhe aksesin e tyre.

Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë pastrimin e strukturave nga vegjetacioni dhe depozitimet, konsolidimin e muraturave me llaç gëlqeror, mbrojtjen e krerëve të mureve nga ndikimet atmosferike si dhe përmirësimin e elementeve ekzistuese ndihmëse me zgjidhje më pak invazive dhe më të përshtatshme estetikisht.