Ballina Ekonomia Aeroporti i Vlorës drejt Arbitrazhit, kompania e Pacollit mund të kërkojë deri...

Aeroporti i Vlorës drejt Arbitrazhit, kompania e Pacollit mund të kërkojë deri në 300 mln euro

67
0

Konflikti për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po hyn në një fazë kritike me pasoja potencialisht të rënda financiare dhe reputacionale për shtetin shqiptar. Kompania zvicerane MABCO Constructions SA, investitori që pretendon se zotëron 98% të kuotave të koncesionarit “Vlora International Airport” (VIA), i ka vendosur ultimatum institucioneve shqiptare deri më 28 maj 2026 për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizës, përndryshe paralajmëron nisjen e arbitrazhit ndërkombëtar kundër Republikës së Shqipërisë.

Në një letër zyrtare drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Avokaturës së Shtetit, Zyrës së Kryeministrit dhe institucioneve të tjera, MABCO pretendon se është përjashtuar faktikisht nga kontrolli i projektit të Aeroportit të Vlorës, ndonëse mbetet investitori kryesor dhe financuesi i koncesionit.

Sipas kompanisë, konflikti lidhet me administrimin e kontestuar të shoqërisë VIA, ku 2A Group, që zotëron vetëm 2% të kuotave sipas MABCO-s, po tenton të marrë kontrollin operacional të projektit. Kompania pretendon se nuk ekziston asnjë transferim kuotash i regjistruar në QKB apo i miratuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, që do të legjitimonte këtë situatë.

Në letër përshkruhet një përshkallëzim i situatës gjatë muajit maj. MABCO deklaron se më 14 maj administrimi i kontestuar i VIA-s njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve të ndërtimit, vendim që kompania e refuzoi zyrtarisht më 16 maj. Një ditë më pas, sipas saj, nisi kufizimi i aksesit në kantier, ndërsa më 18 maj përfaqësuesve, inxhinierëve, specialistëve dhe nënkontraktorëve të MABCO-s iu ndalua fizikisht hyrja në aeroport.

Kompania pretendon se më 21 maj është ndërmarrë një tjetër hap për ta paraqitur përjashtimin e saj si “refuzim bashkëpunimi”, duke synuar krijimin e bazës për marrjen e njëanshme të punimeve, dokumentacionit teknik dhe pajisjeve të projektit.

Një nga akuzat më të forta në letër lidhet me përdorimin e Policisë së Shtetit për zbatimin praktik të një vendimi privat të kontestuar. Sipas MABCO-s, kjo ka krijuar një situatë faktike në favor të ortakut minoritar, pa ekzistuar një vendim gjyqësor i formës së prerë apo një akt i vlefshëm i autoriteteve shtetërore që justifikon largimin e investitorit kryesor nga një projekt strategjik.

Përveç konfliktit korporativ, kompania ngre shqetësime serioze edhe për sigurinë teknike dhe operacionale të aeroportit në prag të certifikimit. Ajo pretendon se pajisje kritike për certifikimin, përfshirë automjete zjarrfikëse dhe pajisje X-Ray, vijojnë të mbahen të bllokuara prej më shumë se shtatë muajsh në doganë.

MABCO kërkon që përpara çdo hapi drejt certifikimit të kryhet një auditim teknik ndërkombëtar i pavarur për pistën dhe sistemet e sigurisë së aeroportit, përfshirë sistemet AGL, ALS dhe PAPI.

Në aspektin financiar, kompania deklaron se ekspozimi ekonomik i projektit arrin në 250 deri në 300 milionë euro. Sipas saj, deri tani janë investuar mbi 90 milionë euro kapital, janë paguar rreth 6 milionë euro interesa financimi, ndërsa ekspozimi i kolateralit arrin në 152 milionë euro. Gjithashtu përmendet një garanci financiare me kërkesë të parë prej 72 milionë eurosh.

MABCO argumenton se institucionet shqiptare kanë qenë në dijeni të konfliktit prej muajsh. Sipas letrës, që prej shtatorit 2025 kompania ka dërguar mbi 50 shkresa dhe njoftime formale pa marrë përgjigje substanciale.

Pikërisht mbi këtë bazë, kompania pretendon se veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare përbëjnë shkelje të Marrëveshjes së Koncesionit, si dhe të Traktatit Dypalësh të Investimeve mes Zvicrës dhe Shqipërisë.

Nëse deri më 28 maj nuk do të garantohet rikthimi i aksesit të MABCO-s në kantier dhe nuk do të ndërmerren masa për zhbllokimin e situatës, kompania paralajmëron se do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar kundër shtetit shqiptar.

Ky zhvillim rrezikon ta kthejë një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit në një konflikt të madh ndërkombëtar investimesh, me pasoja potenciale financiare për buxhetin e shtetit dhe me ndikim të drejtpërdrejtë mbi afatet e hapjes së Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.