Ballina Sport Brazili nis misionin “Botëror”, e paqartë situata e yllit të ekipit

Brazili nis misionin “Botëror”, e paqartë situata e yllit të ekipit

68
0

Skuadra e udhëhequr nga Carlo Ancelotti do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas do të zhvillojë seancën e parë stërvitore. Ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen është mbërritja e futbollistit Nejmar në kompleksin ku është grumbulluar skuadra.

Ylli brazilian ka zgjedhur të zbarkojë me helikopterin e tij privat, ndërkohë që jashtë kampit stërvitor është pritur me brohoritje nga shumë tifozë. Lojtari i Santosit është i vetmi i thirrur që nuk po luan aktualisht dhe federata braziliane do të japë në ditët në vijim një diagnozë më të saktë të gjendjes së tij fizike.

Nejmar pësoi një dëmtim në pulpë gjatë ndeshjes së kampionatit 10 ditë më parë dhe që atëherë është duke vijuar me fazën e rikuperimit.

Në atë kohë, edhe para shpalljes së listës së Botërorit, federata mori një dokument nga Santos që vërtetonte se Neymar do të lejohej të stërvitej me topin pas mbërritjes së tij. Megjithatë, prapa skenave, informacioni është se sulmuesi do të duhet të vazhdojë rikuperimin, duke rrezikuar të humbasë miqësoret kundër Panamasë më 31 maj dhe Egjiptit më 6 qershor.

Seanca e parë stërvitore në fushë është planifikuar për në orën 17:00 (ora lokale) dhe pa akses për shtypin. Nga 22 lojtarët që pritej të vinin në grumbullim, Casemiro ishte i pari që mbërriti, ndërsa më pas Danilo dhe Lucas Paqueta.

Finalistët e munguar të Ligës së Kampionëve do t’i bashkohen skuadrës duke filluar nga e hëna e ardhshme, tashmë në New Jersey, në Shtetet e Bashkuara.

Ekipi kombëtar i Brazilit do të udhëtojë të shtunën për në Rio de Janeiro dhe të dielën do të përballet me Panamanë në një ndeshje miqësore lamtumire për tifozët në stadiumin Maracana.