Nga Dorina Azo
Një organizatë kriminale dyshohet se ka grumbulluar një shumë të konsiderueshme parash në cash. Shuma e parave që mbahet jashtë sistemit bankar nga persona të tretë mund të tentohet të futet në sistemin financiar, përmes rideklarimit të pasqyrave financiare të një biznesi, që mundëson ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale”
Raste të tilla, sipas audituesit ligjor Bujar Bendo mund të shfrytëzojnë “Marrëveshjen e Paqes Fiskale” për pastrim parash, nëse procesi i verifikimit të origjinës së kapitalit është i dobët ose formal.
Në këto kushte, paratë e paligjshme mund të paraqiten si kursime nga emigracioni apo të ardhura të padeklaruara ndër vite nga biznesi, dhe më pas të integrohen në ekonomi përmes investimeve për blerje pronash apo te bizneset e kriptovalutave dhe aseteve digjitale.
“Skema zakonisht nuk duket kriminale në sipërfaqe. Ajo maskohet si legalizim i kursimeve, fitimeve apo kapitalit të padeklaruar. Një shembull ilustrues mund të funksionojë kështu: Një grup ka të ardhura nga aktivitet kriminal, paratë mbahen në cash, në emër të personave të tretë, ose jashtë sistemit bankar.
Grupi deklaron se këto janë kursime të padeklaruara nga emigracioni, biznesi apo aktivitet privat ndër vite. Nëse shteti nuk verifikon realisht origjinën, atëherë kapitali fiton një lloj ‘certifikimi legal’. Këtu ndodh momenti kritik i pastrimit, paraja me origjinë të paligjshme transformohet në kapital ‘të deklaruar’.
Pas deklarimit, fondet depozitohen në banka, përdoren për blerje pronash, investohen në kompani, ose qarkullojnë normalisht në ekonomi. Në këtë fazë bëhet shumë më e vështirë për autoritetet të provojnë origjinën kriminale të tyre, sepse ato tashmë kanë hyrë në sistem me ‘vulë fiskale’. Ky është thelbi klasik i procesit të pastrimit të parave”.
Fillimi i zbatimit të ligjeve për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale” dhe faljen e detyrimeve të papaguara ka rikthyer debatin për çështjen e disiplinës fiskale dhe rreziqeve të pastrimit të parave në ekonomi. Ndërsa qeveria i konsideron masat në funksion të formalizimit të ekonomisë dhe vendosjes së paqes me bizneset, audituesit ligjorë, ekspertët fiskalë dhe kontabilistët ngrenë alarmin për rreziqe.
Në veçanti, ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” që lejon rideklarimin e pasqyrave financiare për tre vitet e fundit kundrejt një norme tatimore preferenciale prej 5%, njëzëri shihet nga ekspertët si një mekanizëm që mund të përdoret për pastrimin e parave.
Skema mund të krijojë hapësira për legalizimin e kapitaleve me origjinë nga grupet kriminale dhe korrupsioni, veçanërisht nëpërmjet kompanive të ndërtimit.
Për ekspertët, rreziku qëndron në faktin se kapitalet e padeklaruara lehtësisht mund të justifikohen si kursime nga emigracioni apo aktiviteti tregtar, duke vështirësuar kontrollin e institucioneve shtetërore.
“Rideklarimi i pasqyrave të bizneseve mund të nxisë fenomenin e pastrimit të parave dhe sektorë që mund ta përdorin, p.sh. ndërtimi. P.sh. rideklarimi i gjendjeve të parave në arkë mund të ketë burim paratë e pista (korrupsioni, etj.). Por nëse kjo shumë parash që rideklarohet vjen nga evazioni, normalisht në kuptim të ligjit duhet të konsiderohet e lejueshme për t’u rideklaruar pa pasoja penale.
Por kush e ndan dhe si e përcakton që janë burim nga evazioni dhe jo nga burime të tjera të pista e të palejueshme? Mbase ndërtimi, për shkak të specifikave që po evidentohen në kohët e fundit, mund të përfitojë, por jo vetëm; ka edhe sektorë të tjerë të ekonomisë ku bëhen investime që mund të përfitojnë”, pohon kontabilisti Sotiraq Dhamo.
Vetë struktura e marrëveshjes krijon hapësira për abuzim, edhe sipas ekspertit fiskal Julian Saraçi. Norma preferenciale prej 5% dhe mungesa e dokumentacionit të detyrueshëm për origjinën e fondeve, sipas tij, e bëjnë skemën tërheqëse për subjektet, veçanërisht te sektori i ndërtimit, që kërkojnë të legalizojnë kapitale të padeklaruara.
“Në vlerësimin tonë profesional, interesi i subjekteve për të marrë pjesë në këtë ‘Marrëveshje të Paqes Fiskale’ lidhet kryesisht me trajtimin preferencial tatimor të parashikuar nga skema, konkretisht aplikimin e një norme prej 5% për rideklarimin e elementeve të pasqyrave financiare dhe pasurive të padeklaruara.
Kjo normë paraqet një diferencë të ndjeshme krahasuar me normat standarde tatimore prej 15% duke e bërë mekanizmin relativisht tërheqës për subjektet që synojnë të formalizojnë elemente të mëparshme të padeklaruara.
Marrëveshja mundëson rregullimin e zërave të aktivit dhe pasivit (si paraja cash, fshirja e detyrimeve ose deklarimi i aktiveve të reja) me një diferencë deri në 30% nga deklarimi fillestar. Një shembull konkret është deklarimi i aktiveve monetare të padeklaruara më parë, ku subjekti paguan 5% dhe i ligjëron ato në bilanc pa dokumentacion mbështetës.
Sektorët me informalitet të lartë, si ndërtimi, mund ta përdorin këtë skemë për të formalizuar diferencat e pasqyrave financiare të tre viteve të fundit. Kjo praktikë rrezikon të shndërrohet në një mjet për ‘pastrimin’ e bilanceve historike”, thekson eksperti fiskal Julian Saraçi.
Përveç sektorëve të ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme, audituesi ligjor Bujar Bendo vlerëson se sektorë të tjerë me potencialë risku për pastrim parash nga rideklarimi i pasqyrave financiare janë edhe turizmi dhe hoteleria, tregtia me shumicë dhe pakicë, agjencitë imobiliare dhe ndërmjetësit financiarë, kriptovalutat dhe asetet digjitale.
Rreziku i pastrimit të parave ishte një debat që u ngrit që para miratimit të ligjit edhe nga Bashkimi Europian dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Kjo e fundit ka ngritur shqetësime se marrëveshja mund të përdoret për legalizimin e kapitaleve me origjinë të dyshimtë, përmes rideklarimit të pasqyrave financiare.
Ligji “Për Marrëveshjen e Paqes Fiskale” mundëson nënshkrimin e një marrëveshje mes biznesit të madh me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit dhe administratës tatimore për parapagimin e tatimfitimit.
Vullnetarisht në këtë marrëveshje me administratën tatimore mund të hyjë çdo biznes i rregullt, qoftë persona fizikë apo entitet. Të përjashtuar nga e drejta për të hyrë në marrëveshje me administratën tatimore janë bizneset që ndaj tyre është hapur çështje penale për mashtrim apo evazion fiskal.
Në këtë marrëveshje me afat 1-vjeçar (me të drejta rinovimi deri në 2 herë), biznesit me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë në vit, do t’i llogaritet parapagimi i tatimit mbi një bazë të tatueshme të rritur. Pra biznesi nuk do të parapaguajë një tatim të çfarëdoshëm, por që do të llogaritet mbi bazën e tatueshme, e përbërë nga fitimi i tatueshëm i vitit të mëparshëm, plus 18% rritje. Nëse fitimi i vërtetë në fund të vitit tejkalon kufirin (duke llogaritur fitimin e vitit të mëparshëm plus një marzh shtesë prej 18%), mbi këtë shtesë do të paguhet 5%.
Në thelb, marrëveshja nuk e ndryshon normën e tatimfitimit që është 23% për bizneset me të ardhura neto mbi 14 milionë lekë, por rrit bazën e tatueshme, pasi tatimi do të llogaritet mbi fitimin e vitit të kaluar plus një marzhi shtesë prej 18%. Vetëm për fitimin që tejkalon këtë nivel të vlerësuar, paguhet një tatim shtesë 5%.
Në këmbim, bizneset do të përfitojnë moskryerje të kontrolleve tatimore për periudhën e zbatimit të marrëveshjes.
Përveç parapagimit të tatimit kundrejt moskontrollit tatimor për 1 vit, bizneset e mëdha që do të lidhin Marrëveshjen e Paqes Fiskale me administratën tatimore gjithashtu do të kenë mundësinë të rideklarojnë pasqyrat financiare të tre viteve të fundit, kundrejt tatimit 5%.
Tatimi 5% do të aplikohet për ndryshime të tilla si: rivlerësimi i gjendjes së parasë cash, fshirja e aktiveve apo detyrimeve fiktive, deklarimi i pasurive të patreguara më parë, rideklarimi i fitimeve të mbartura dhe shpërndarja e tyre si dividend.
Për të gjitha këto raste nuk do të ketë gjoba, interesa apo kamatëvonesa, me kusht që tatimpaguesi të deklarojë paraprakisht se do të përfitojë nga marrëveshja.
Përjashtim për hyrjen në marrëveshje me Tatimet, në këmbim të moskryerjes së kontrollit, do të bëjnë bizneset ndaj të cilëve janë hapur çështje penale për mashtrim apo evazion./ Monitor







