Ballina Sport Serie A zbulon kalendarin e ri, ndryshime të rëndësishme për sezonin 2026-2027

Serie A zbulon kalendarin e ri, ndryshime të rëndësishme për sezonin 2026-2027

67
0

Futbolli italian po përgatitet të hapë një kapitull të ri.

Të premten do të hidhet shorti i kalendarit të sezonit 2026-2027 të Serie A, me algoritmin që do të përcaktojë renditjen e 38 javëve të kampionatit duke marrë parasysh disa risi të rëndësishme organizative.

Sezoni i ri do të nisë më 23 gusht 2026 dhe do të përfundojë në fundjavën e 29-30 majit 2027. Ndryshe nga vitet e kaluara, kalendari do të përshtatet me ndryshimet e datave të kombëtareve, duke sjellë edhe modifikime në periudhat e pushimit.

Pauza e parë do të jetë më e gjatë se zakonisht, pasi kampionati do të ndalet për dy raunde, më 27 shtator dhe 4 tetor. Ndërkohë, ndërprerjet e tjera për ndeshjet e përfaqësueseve do të mbeten sipas formatit tradicional, në mesin e nëntorit dhe në fund të marsit.

Liga ka parashikuar gjithashtu dy raunde të zhvilluara në mesjavë, konkretisht më 28 tetor 2026 dhe 6 janar 2027. Ashtu si çdo vit, do të ketë edhe pushim për festat e fundvitit, me kampionatin që nuk do të luhet më 26 dhe 27 dhjetor.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme ka të bëjë me koordinimin e ndeshjeve me eventet madhore sportive që zhvillohen në Itali. Pas problemeve të krijuara sezonin e kaluar, kur derbi i Romës u përplas me zhvillimin e Internazionali d’Italia në Foro Italico, algoritmi i ri do të marrë në konsideratë edhe ngjarje të rëndësishme të tenisit si ATP Finals dhe Mastersi i Romës.

Për këtë arsye, derbet mes skuadrave të të njëjtit qytet, si Lazio-Roma dhe Juventus-Torino, nuk do të programohen në periudhat kur zhvillohen këto evente.

Po ashtu, Liga ka vendosur që asnjë derbi qyteti të mos luhet në dy javët e fundit të kampionatit, konkretisht në javën e 37-të dhe të 38-të, me synimin për të shmangur tensionet organizative dhe problematikat e sigurisë.

Një tjetër risi prek klubet që marrin pjesë në kompeticionet evropiane. Skuadrat e angazhuara në Champions League, Europa League dhe Conference League nuk do të përballen mes tyre në javët që ndodhen mes dy raundeve radhazi të kupave evropiane, duke synuar një shpërndarje më të balancuar të ngarkesës sportive.

Me këto ndryshime, organizatorët synojnë të shmangin mbingarkesat e kalendarit, konfliktet me eventet e tjera sportive dhe të garantojnë një sezon më të rregullt për klubet dhe tifozët e futbollit italian.