Ballina Ekonomia Shqiptarët punojnë 41 orë në javë, por një orë pune prodhon vetëm...

Shqiptarët punojnë 41 orë në javë, por një orë pune prodhon vetëm 995 lekë

103
0

Pavarësisht rritjes ekonomike të viteve të fundit, produktiviteti i punës në Shqipëri vijon të mbetet larg standardeve të vendeve të zhvilluara. Të dhënat e përpunuara nga statistikat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2024 ekonomia shqiptare gjeneroi mesatarisht rreth 995 lekë për çdo orë pune, ose afërsisht 10 euro, raporton SCAN Intel.

Ekonomia e vendit prodhoi mbi 2.5 trilionë lekë gjatë vitit të kaluar, ndërsa rreth 1.2 milionë të punësuar punuan mesatarisht 41.3 orë në javë. Kur këta tregues kombinohen sipas formulës së produktivitetit të punës, rezulton se çdo orë e punuar në Shqipëri krijon më pak se 1 mijë lekë vlerë ekonomike.

Por diferenca bëhet edhe më e dukshme kur Shqipëria krahasohet me ekonomitë më të forta të botës. Sipas të dhënave të OECD-së, vendi ynë prodhon vetëm 17.6 dollarë ndërkombëtarë për orë pune, disa herë më pak se mesatarja e vendeve të organizatës, e cila arrin në 71 dollarë.

Në krye të renditjes qëndron Irlanda me 151 dollarë për orë pune, e ndjekur nga Norvegjia me 132 dollarë dhe Luksemburgu me 125 dollarë. Edhe ekonomitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania regjistrojnë nivele shumë më të larta, përkatësisht 97 dhe 88 dollarë për orë pune.

Ekspertët e lidhin këtë diferencë me strukturën e ekonomisë shqiptare, e cila mbështetet kryesisht te shërbimet, tregtia dhe sektorët me vlerë të shtuar më të ulët. Ndërkohë, vendet me produktivitet më të lartë investojnë më shumë në teknologji, automatizim, industri të avancuar dhe aktivitete me intensitet të lartë kapitali.

Në praktikë, kjo do të thotë se shqiptarët punojnë shumë orë, por ekonomia arrin të gjenerojë dukshëm më pak vlerë për çdo orë pune krahasuar me vendet më të zhvilluara.