Ballina Politika Shqiptarët në revoltë/ “Dëgjoni mesazhin” – Ermelinda Meksi nuk kursehet ndaj Ramës:...

Shqiptarët në revoltë/ “Dëgjoni mesazhin” – Ermelinda Meksi nuk kursehet ndaj Ramës: Merret me numrin e protestuesve, por jo me pyetjet që ngrejnë qytetarët

98
0

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, ka komentuar protestat e qytetarëve në Bulevard, duke theksuar se fokusi i debatit nuk duhet të jetë te numri i pjesëmarrësve, por te shqetësimet që ata po ngrenë.

Në një reagim publik, Meksi vëren se kryeministri i ka kushtuar vëmendje të madhe madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo pasqyrohet në media, si dhe rolit të dezinformimit dhe rrjeteve sociale në formësimin e perceptimeve publike.

Sipas saj, këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne, por thekson se reagimi i kreut të qeverisë i kushton më pak vëmendje pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin në mjedis dhe përfitimet konkrete publike të investimit.

Meksi shprehet se qeveria vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat për një projekt që “ende nuk ekziston”, ndërsa protestuesit kërkojnë informacion dhe dialog pikërisht në fazën e hershme të procesit. Sipas ish-deputetes socialiste, kjo është periudha kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet afatgjata dhe modelin e zhvillimit që synon Shqipëria, duke përfshirë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore.

Në përfundim, Meksi nënvizon se në demokraci rëndësi nuk ka vetëm numri i protestuesve, por mesazhi që ta përpiqen të përcjellin. Ajo shton se sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që shqetësimet e qytetarëve të adresohen përmes dialogut, transparencës dhe fakteve të verifikueshme.

REAGIMI I MEKSIT
A po dëgjohen nga qeveria protestuesit?
Reagimi i fundit i Kryeministrit në platformën X i kushton shumë vëmendje madhësisë së protestës, mënyrës se si ajo paraqitet në media, si dhe rolit që mund të luajnë dezinformimi, amplifikimi dixhital dhe rrjetet sociale në formësimin e perceptimeve publike.
Këto janë shqetësime legjitime për çdo demokraci moderne.
Por reagimi i tij i kushton shumë më pak vëmendje përmbajtjes së pyetjeve që qytetarët po ngrenë lidhur me korrupsionin, transparencën, konsultimin publik, pronësinë, ndikimin mjedisor dhe përfitimet konkrete publike të investimit.
Kryeministri vazhdon ta trajtojë çështjen si një debat mbi një projekt që “ende nuk ekziston”.
Ndërsa mesazhi që vjen nga protestat duket ndryshe:
“Pikërisht sepse jemi në fazën e hershme të procesit, kërkojmë transparencë, informacion dhe dialog tani, jo pasi gjithçka të jetë vendosur.”
Në fakt, është kjo fazë kur duhet të zhvillohet debati publik mbi dobinë e investimit, ndikimet e tij afatgjata dhe modelin e zhvillimit që duam për Shqipërinë. Jo vetëm për një projekt të caktuar, por edhe për mënyrën se si e kuptojmë turizmin e qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe përfitimin e drejtë të qytetarëve nga pasuritë natyrore të vendit.
Në demokraci, më shumë se numri i protestuesve, rëndësi ka mesazhi që ata përpiqen të përcjellin.
Sa më gjatë të vazhdojnë protestat, aq më e madhe bëhet nevoja që ai të dëgjohet dhe të adresohet me dialog, transparencë dhe fakte të verifikueshme.
Sepse çështja nuk është numri i atyre që protestojnë, numër qē megjithatë nuk duhet neglizhuar,por sa institucionet janë të gatshme të dëgjojnë dhe t’u përgjigjen në kohë shqetësimeve që ata shprehin.