Presidenti i SHBA, Donald Trump, i është nënshtruar një kontrolli mjekësor ku kanë marrë pjesë plot 22 mjekë të specialiteteve të ndryshme, një numër rekord për një president amerikan.
Sipas raportimit të Washington Post, ky është numri më i lartë i specialistëve që kanë marrë pjesë ndonjëherë në një kontroll shëndetësor presidencial.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se përfshirja e një numri kaq të madh mjekësh ishte e nevojshme për një vlerësim të plotë dhe parandalues të gjendjes shëndetësore të presidentit.
Mjeku personal i Trump, Sean Barbabella, deklaroi në raport se presidenti është në “gjendje të shkëlqyer” shëndetësore.
Në këtë kontroll kanë marrë pjesë edhe mjekë nga institucione prestigjioze si Universiteti i Harvardit dhe ai i Duke.
Megjithatë, numri i lartë i specialistëve ka ngjallur edhe pikëpyetje. Kardiologu Jonathan Reiner e cilësoi këtë shifër “jashtëzakonisht të madhe”, duke ngritur dyshime për arsyet e përfshirjes së kaq shumë mjekëve.
Sipas të dhënave, numri i 22 mjekëve është pothuajse dyfish më i lartë krahasuar me kontrollet e mëparshme të Trump gjatë presidencës së tij.
Ndërkohë, kontrolli vjen në një kohë kur në SHBA ka diskutime për moshën dhe aftësinë e liderëve për të ushtruar detyrën, pasi Trump pritet të mbushë 80 vjeç, ndërsa paraardhësi i tij, Joe Biden, u largua nga detyra në moshën 82-vjeçare.







