Deputetja e PD dhe kryetarja e Komisionit për Turizmin, e angazhuar prej vitesh në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të mbrojtura, Ina Zhupa ka reaguar ashpër ndaj betonizimit të pasurisë publike, duke e cilësuar atë si “terrorizëm mjedisor” dhe jo zhvillim. Duke e sjell si një shembull të modelit të supozuar të zhvillimit që ka qeveria
Në një status publik, Zhupa denoncon shkatërrimin e peizazheve natyrore në zona si Gjiri i Manastirit dhe Palasa, duke paralajmëruar se ndërtimet pa kriter rrezikojnë trashëgiminë kulturore, biodiversitetin dhe modelin e turizmit të qëndrueshëm. Ajo thekson se mbrojtja e natyrës dhe e interesit publik është kusht për zhvillimin afatgjatë të vendit dhe u bën thirrje qytetarëve të reagojnë përmes protestës demokratike në mbrojtje të Shqipërisë.
Reagimi i plotë i Ina Zhupës:
Ky nuk është zhvillim. Ky është terrorizëm mjedisor! 5.8 milion km katror deri në 2025 “beton strategjik”
Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe i zonave të mbrojtura nuk mund të quhet kurrë zhvillim për Shqipërinë. Mjafton të shohësh këto pamje nga Gjiri i Manastirit dhe Palasa: betonizim pa kufi, që zhduk atë që e bën vendin tonë unik dhe dëmton turizmin e qëndrueshëm, natyrën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Betoni nuk prodhon oksigjen. Njeriu nuk jeton dot pa oksigjen, kaq e thjeshtë për t’u kuptuar. Betoni nuk mbron biodiversitetin, nuk zëvendëson pyjet, detin dhe peizazhet që i kemi trashëguar dhe që duhet t’ua lëmë brezave të ardhshëm.
Kur kryeministri e trajton vendin si pronë personale dhe vendimet merren me logjikën “ku dua unë, kur dua unë, si dua unë”, atëherë humb interesi publik dhe fiton arbitrariteti.
Kjo është e keqe për vendin sepse shkatërron pasuritë e përbashkëta, cenon identitetin tonë, dëmton ekonominë afatgjatë dhe krijon një model zhvillimi që favorizon interesat e ngushta në kurriz të qytetarëve.
Pikërisht për këtë arsye protesta mbetet rruga demokratike përmes së cilës shqiptarët kërkojnë të mbrojnë të ardhmen e vendit të tyre. Kur institucionet nuk dëgjojnë zërin e qytetarëve, zëri i qytetarëve dëgjohet në shesh. Mbrojtja e natyrës, e trashëgimisë kulturore dhe e interesit publik nuk është pengesë për zhvillimin por është kushti që zhvillimi të jetë i drejtë, i qëndrueshëm dhe në dobi të të gjithë shqiptarëve.
Ju e keni në dorë! Shqiptarët për Shqipërinë!







