Ballina Politika PD: Do të padisim Gjergj Lucën, shkel ligjin dhe punëson minorenët! Dënojmë...

PD: Do të padisim Gjergj Lucën, shkel ligjin dhe punëson minorenët! Dënojmë përdorimin e fëmijëve si material…

98
0

Partia Demokratike njofton se do të paraqesë padi në Prokurori për shkelje të ligjit dhe punësim të minorenëve pas videos së publikuar nga Gjergj Luca ku shihen fëmijë, 14 dhe 15 vjeçarë, që punojnë në ndërtim, në themelet e një tjetër ndërmarrjeje të tij.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo tha në një deklaratë për median se fëmijët po përdoren jo vetëm në shkelje të ligjit, jo vetëm në shfrytëzim dhe në kushte të vështira, por edhe si mjet propagande.

“Kjo video është shembull se pse protestat duhet të vijojnë, pse Rama duhet të largohet, dhe pse Partia Demokratike i mbështet qytetarët në kërkesat dhe lëvizjen e tyre’ deklaroi Garo.

Njoftimi per shtyp

Disa pamje antiligjore, çnjerëzore dhe me shije të ulët, përcjellë dhe denoncuar me guxim nga aktivistja Haris Vongli, dëshmojnë edhe njëherë se deri ku, Rama dhe karvani i tij arrijnë për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet.

Në këtë video shihen fëmijë, 14 dhe 15 vjeçarë, që punojnë në ndërtim, në themelet e një tjetër ndërmarrjeje të Gjergj Lucës, siguruar me firmën e kryeministrit, të cilit Luca i thur lavde dhe e shpall si ‘fenë’ e tij.

Këta fëmijë që punojnë në piskun e vapës paraqiten nga Luca si shembull për të rinjtë që protestojnë në sheshet e Tiranës kundër regjimit të padronit të tij.

Ata përdoren jo vetëm në shkelje të ligjit, jo vetëm në shfrytëzim dhe në kushte të vështira, por edhe si mjet propagande. Për të thënë se, shihi si punojnë shqiptarët, dhe si këta duhet të bëjnë edhe ata që janë ngritur kundër Ramës.

Pra të ulin kokën, të mbyllin gojën.

Partia Demokratike dënon, jo vetëm përdorimin e fëmijëve si material propagandistik, por sidomos përdorimin e tyre për punë të rënda, në kundërshtim me ligjin.

Për këtë arsye ne nuk do të ndalemi vetëm te ky denoncim, por do të paraqesim padi në Prokurori për shkelje të ligjit dhe punësim të minorenëve.

Gjergj Luca vepron ashtu, sepse mendon se mbrohet nga Rama dhe është mbi ligjin.

Protestat qytetare, në Tiranë, në të gjithë Shqipërinë dhe në Diasporë bëhen pikërisht kundër kësaj: askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe të gjithë ata që kanë vepruar kundër tij dhe mbi të, duhet të përgjigjen.

Më së pari duke lënë pushtetin dhe privilegjet dhe duke hequr këmbën nga qafa e të tjerëve.

Kjo video është shembull se pse protestat duhet të vijojnë, pse Rama duhet të largohet, dhe pse Partia Demokratike i mbështet qytetarët në kërkesat dhe lëvizjen e tyre!