Ballina Opinion Dhjetori 1990 që rrezikonte jetën dhe protestat e sotme që sfidojnë komoditetin

Dhjetori 1990 që rrezikonte jetën dhe protestat e sotme që sfidojnë komoditetin

276
0

Nga Klevis Elezi/ Analist 

Kohët e fundit po dëgjojmë shpesh krahasime mes protestave të sotme dhe Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Krahasimi është i natyrshëm, por për të qenë të drejtë me historinë duhet të pranojmë se bëhet fjalë për dy realitete krejtësisht të ndryshme. Krahasimi është tëresisht i pavend dhe i pavërtetë.

Në Dhjetor 1990, studentët shqiptarë dolën në rrugë përballë një regjimi komunist që kishte burgosur, internuar dhe vrarë qytetarët e vet për dekada. Askush nuk e dinte nëse protesta do të përfundonte me dialog apo me plumba. Frika nga arrestimi ishte reale. Frika nga humbja e studimeve ishte reale. Frika nga humbja e jetës ishte reale.

Sot, protestat zhvillohen në një Shqipëri anëtare të NATO-s, drejt anëtarësimit në BE, me pluralizëm politik, zgjedhje pluraliste, media të shumta dhe rrjete sociale që përdoren lirisht nga çdo individ.

Protestuesit kanë të drejtën kushtetuese të protestojnë dhe askush nuk rrezikon jetën sepse kërkon ndryshim politik. Kjo është një arritje e madhe demokratike, por edhe një dallim thelbësor me vitin 1990.

Në atë kohë, studentët nuk protestonin për të korrigjuar një politikë apo një projekt të caktuar. Ata protestonin për të rrëzuar një sistem. Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës. Konviktet ishin të ftohta, ushqimi ishte me mungesa, energjia elektrike ndërpritej vazhdimisht dhe perspektiva për të rinjtë ishte e zymtë.

Rinia e Dhjetorit ishte e veshur keq, me vështirësi ekonomike që brezat e sotëm zor se mund t’i imagjinojnë. Ndërsa sot, pavarësisht problemeve që ekzistojnë, shumica e të rinjve jetojnë në kushte shumë më të mira, me akses në teknologji, informacion dhe standarde jetese që në vitin 1990 do të konsideroheshin luks.

Mjafton të shohësh edhe një element simbolik të jetës së përditshme. Në vitin 1990, për shumë familje shqiptare edhe një biçikletë ishte luks. Automjetet private ishin pothuajse të paarritshme për qytetarin e zakonshëm. Sot, në shumë protesta shohim të rinj që mbërrijnë me automjete moderne, madje edhe me makina luksoze. Kjo nuk është kritikë ndaj mirëqenies së tyre. Përkundrazi, është prova më e mirë se sa larg ka ecur Shqipëria nga realiteti i zymtë i komunizmit.

Po aq i madh është ndryshimi në arsim. Në vitin 1990, e drejta për të studiuar nuk varej vetëm nga rezultatet. Ajo varej nga “biografia”, nga qëndrimi politik i familjes dhe nga besnikëria ndaj Partisë së Punës. Shumë të rinj të shkëlqyer nuk u lejuan të ndiqnin universitetin për shkak të origjinës së tyre familjare. Universiteti ishte privilegj i kontrolluar nga shteti-parti.

Sot, mijëra studentë shqiptarë studiojnë në universitetet më prestigjioze të Europës, Amerikës dhe botës. Ata përfitojnë bursa ndërkombëtare, programe shkëmbimi dhe mundësi që brezi i Dhjetorit as nuk mund t’i ëndërronte. Në vitin 1990, ëndrra ishte të dilje jashtë kufijve të Shqipërisë; sot, të rinjtë shqiptarë studiojnë dhe punojnë në katër anët e botës.

Edhe simbolika e protestave flet shumë për ndryshimin mes dy epokave.

Në Dhjetor 1990, studentët kërkuan heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar. Ishte një akt që synonte çlirimin e identitetit kombëtar nga ideologjia totalitare. Ishte rikthimi i flamurit të shqiptarëve.
Sot, në disa protesta shfaqen simbole të importuara nga aktivizmi ndërkombëtar, deri në pikën që shqiponja dykrenore zëvendësohet me figura dhe simbole që nuk kanë lidhje me traditën kombëtare shqiptare, si flamengo rozë në vend të shqiponjës dykrenore. Kjo tregon se protestat e sotme shpesh frymëzohen nga narrativa globale, ndërsa Lëvizja e Dhjetorit kishte në qendër interesin kombëtar dhe lirinë politike të shqiptarëve.

Një tjetër dallim i rëndësishëm lidhet me përfaqësimin politik.
Në Dhjetor 1990, përfaqësuesit e Lëvizjes Studentore u ulën përballë Ramiz Alisë dhe kërkuan pluralizëm politik, zgjedhje të lira dhe fundin e monopolit të Partisë së Punës. Kërkesat e tyre ndryshuan historinë e Shqipërisë. Ata përfaqësonin një shoqëri që nuk kishte të drejtë vote të lirë dhe nuk kishte alternativa politike.

Sot, çdo qytetar ka të drejtën të votojë, të kandidojë, të organizohet politikisht dhe të shprehë lirisht bindjet e tij. Në shumë raste, madje, disa prej protestuesve më aktivë nuk kanë marrë pjesë fare në zgjedhje, ndërkohë që disponojnë mjetin më të fuqishëm demokratik për të ndikuar mbi qeverisjen: votën.

Në vitin 1990 ne bënim thirrje për investitorët të vinin e të zhvillonin vendin sot ndodh e kundërta duke kundërshtuar verbërisht, pa patur informacion shterues mbi projektet e investimit.

Kjo nuk do të thotë se protestat e sotme nuk kanë vlerë. Çdo shoqëri demokratike ka nevojë për qytetarë aktivë dhe kritikë. Por historia nuk nderohet duke barazuar fenomene që nuk janë të barabarta.

Dhjetori 1990 ishte një përballje mes lirisë dhe diktaturës. Ishte momenti kur një brez i tërë vendosi të sfidonte frikën, varfërinë, izolimin dhe represionin për t’i hapur Shqipërisë rrugën drejt demokracisë.

Protestat e sotme zhvillohen pikërisht sepse ajo betejë u fitua.
Prandaj, Dhjetori 1990 nuk duhet përdorur si një metaforë e zakonshme për çdo protestë të kohës sonë. Nuk ka të krahasuar. Ai mbetet një moment unik në historinë shqiptare: koha kur të rinjtë rrezikonin jetën për të fituar liritë që sot u lejojnë brezave të rinj të protestojnë pa frikë, të votojnë lirshëm, të studiojnë kudo në botë dhe të jetojnë në një shoqëri ku ndryshimi kërkohet me argumente, jo me sakrifica ekzistenciale.

Shqipëria nuk ka nevojë për romantizimin e çdo proteste dhe as për zhvlerësimin e tyre. Ka nevojë për racionalitet, kujtesë historike dhe aftësi për të dalluar mes ngjarjeve që ndryshojnë rrjedhën e një kombi dhe debateve të zakonshme të një shoqërie demokratike. Vetëm duke i parë faktet me qetësi dhe pa pasion politik mund të kuptojmë se liritë që gëzojmë sot nuk janë një pikënisje, por rezultat i sakrificave të një brezi që veproi në kushte që brezat e sotëm, fatmirësisht, nuk kanë nevojë t’i përjetojnë./bulevardnews