Ballina Kronika Plas arma në jaht, shkarkohet një karikator i tërë. Tmerr mes pushuesve...

Plas arma në jaht, shkarkohet një karikator i tërë. Tmerr mes pushuesve në Palasë

73
0

Momente paniku janë regjistruar në brigjet e Palasës, ku nga një jaht u dëgjuan të shtëna arme që, sipas dëshmitarëve, i ngjanin shkarkimit të një karikatori të tërë.

Në bord ndodhej një grup personash që kishin ankoruar jahtin pranë bregut dhe po festonin, kur për arsye ende të paqarta u dëgjuan të shtënat, duke shkaktuar frikë dhe panik te pushuesit që ndodheshin në zonë. Ndërkohë në një lajmërim për mediat policia thotë se është vënë në ndjekje të jahtit për të verifikuar ngjarjen.

Himarë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00 është njoftuar se nga një jaht në det, përballë Palasës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në ajër.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare janë vënë në ndjekje të jahtit.

Njëkohësisht, janë njoftuar edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë dhe të Stacionit të Policisë Dhërmi, të cilat po kryejnë kontrolle nga toka përgjatë vijës bregdetare.

Vijon ndjekja e mjetit lundrues, me qëllim verifikimin e informacionit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në përfundim të operacionit për ndalimin e jahtit dhe të veprimeve të para hetimore do të jepet informacion i plotë për rastin.