Ballina Politika Rama përplaset me gazetaren e CNN për Zvërnecin: Ju nuk jeni burim...

Rama përplaset me gazetaren e CNN për Zvërnecin: Ju nuk jeni burim objektiv. Shumica e shqiptarëve e duan projektin

104
0

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Forumin Botëror Future Investment Initiative (FII), në një bashkëbisedim me Eleni Giokos, prezantuese dhe korrespondente e CNN. Gjatë bashkëbisedimit, Rama pati edhe një përplasje me gazetaren, pasi kjo e fundit e pyeti për projektin në Zvënrnec dhe protestat në Tiranë. Ai u shpreh se shumica e shqiptarëve e duan projektin dhe ajo që shihet, sipas tij, nuk është ajo që po ndodh.

Rama: Dëgjo, mos shko aty, sepse tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Po, nuk ka asgjë që duhet të shqetësojë ndonjë ambientalist që mendon drejt.

Dhe po, Shqipëria do të ecë përpara, dhe Shqipëria nuk mund ta shpëtojë Europën vetëm në një gjë: nëse rrjetet sociale vazhdojnë të funksionojnë pa kufizim, Europa do të shembet nga brenda. Dhe atëherë edhe mburojat kundër raketave dhe predhave nuk do të vlejnë, sepse nuk do të ketë më asgjë për të mbrojtur.”

Gazetarja e CNN: Zoti Kryeministër, shumë shkurt, Komisioni i BE-së thotë se duhet të respektoni rregullat mjedisore dhe po jep paralajmërime. Keni edhe çështjen e protestave. Si do ta ndryshoni mesazhin që ai të rezonojë me protestuesit dhe të siguroheni që Komisioni Europian të jetë në anën tuaj?

Rama: Kam një lajm për ju. Shumica e popullit shqiptar e do projektin. Qyteti ku do të zhvillohet projekti është, në një shumicë shumë të madhe, në pritje të tij dhe nuk ka protesta. Komuniteti ku projekti do të zhvillohet e dëshiron projektin. Pra, ajo që shihni ju nuk është saktësisht ajo që po ndodh. Zemërimi ekziston, e kuptoj, por kur të zbehet dhe kur t’i dërgoj një ftesë shumë të veçantë CNN-it për të ardhur në inaugurim, të gjithë do të jenë të lumtur. Dhe jam i sigurt se do të jetë një mundësi e shkëlqyer për CNN-in që të rehabilitohet.”