Ballina Rajoni Aksion kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, goditet Federata e Futbollit, 12...

Aksion kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut, goditet Federata e Futbollit, 12 të arrestuar dhe 5 në arrati!

73
0

Një aksion i gjerë i Policisë Financiare dhe Prokurorisë për Krimin e Organizuar ka goditur Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Në operacionin e zhvilluar në disa lokacione të Shkupit janë arrestuar 12 persona, ndërsa 5 të tjerë rezultojnë të paarritshëm për organet e ndjekjes.

Sipas autoriteteve, mes të dyshuarve janë dy ish-presidentë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM), ish-drejtuesja e sektorit të financave dhe kontabilitetit, drejtues dhe pronarë kompanish private, si dhe zyrtarë të tjerë të federatës.

Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin njoftoi se të dyshuarit akuzohen për “Përvetësim në shërbim” dhe “Pastrim të parave dhe të ardhurave të tjera nga vepra penale”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe tetë persona juridikë.

Sipas hetimeve paraprake, ish-presidenti i parë i FFM-së, në bashkëpunim me drejtuesen e financave, dyshohet se në periudhën nga 1 janari 2015 deri më 25 korrik 2018 ka përvetësuar 127.451.156 denarë përmes një serie veprimesh që synonin përfitime të paligjshme financiare.

Ndërkohë, ish-presidenti i dytë dyshohet se ka vazhduar të njëjtën skemë nga 25 korriku 2018 deri më 10 tetor 2019, duke përvetësuar edhe 53.351.209 denarë të tjera.

Sipas Prokurorisë, ish-drejtuesja e financave ka manipuluar dokumentacionin kontabël të federatës për të fshehur pagesat e kryera ndaj kompanive të ndryshme. Fillimisht pagesat regjistroheshin si shlyerje detyrimesh, ndërsa më pas të dhënat ndryshoheshin duke fshirë referencat për faturat, shërbimet apo subjektet përfituese.

Hetuesit pretendojnë se me këto veprime janë krijuar evidenca të pasakta dhe të manipuluara, duke e bërë të vështirë gjurmimin e destinacionit të fondeve.

Në dosje thuhet se dy ish-presidentët e federatës kanë miratuar dhe nënshkruar gjithsej 728 urdhra pagesash të përgatitura nga sektori financiar, pa dokumentacion të plotë dhe pa verifikuar bazueshmërinë e pagesave.

Sipas autoriteteve, kjo ka mundësuar transferimin e fondeve të FFM-së drejt kompanive të ndryshme në kundërshtim me rregullat financiare dhe me statutin e federatës.

Prokuroria pretendon se drejtuesit dhe pronarët e kompanive të përfshira në skemë kanë lëshuar fatura me përmbajtje të pavërtetë për shërbime dhe mallra që dyshohet se nuk janë ofruar realisht. Në bazë të këtyre faturave janë kryer pagesa nga fondet e federatës.

Sipas hetimit, në këtë mënyrë Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut i është shkaktuar një dëm prej 180.802.365 denarësh, ndërsa kompanitë përfituese kanë siguruar përfitime të paligjshme financiare.

Autoritetet dyshojnë se më pas një pjesë e këtyre parave është futur sërish në qarkullim përmes transaksioneve të ndryshme financiare me qëllim fshehjen e origjinës së tyre, çka përbën bazën e akuzave për pastrim parash.

Gjatë aksionit të së enjtes, policia kreu kontrolle në banesa dhe ambiente biznesi në disa lokacione të Shkupit. Janë sekuestruar dokumente, mjete financiare dhe pajisje elektronike që do t’i nënshtrohen ekspertizës.

Sipas autoriteteve, operacioni është rezultat i një hetimi shumëvjeçar të zhvilluar nga Policia Financiare dhe Qendra Hetimore pranë Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Në këtë dosje përmendet edhe ish-presidenti i FFM-së, Muhamed Sejdini, i cili drejtoi federatën nga viti 2018 deri në vitin 2024. Ai është hetuar edhe për çështje që lidhen me ndërtimin e një tribune në stadiumin e Ohrit dhe në prill të këtij viti u arrestua nga autoritetet maqedonase. Sejdini dha dorëheqjen nga posti i kreut të FFM-së në nëntor 2024, ndërsa në vend të tij u zgjodh Masar Omeragiç.