Ballina Europë Pse gjermanët nuk kanë kondicioner? Temperaturat rekord detyrojnë vendin të ndryshojë rregullat

Pse gjermanët nuk kanë kondicioner? Temperaturat rekord detyrojnë vendin të ndryshojë rregullat

91
0

Në Gjermani, sipas një studimi të porositur nga portali krahasues Verivox, vetëm rreth 6 për qind e banesave janë të pajisura me një sistem fiks kondicionimi, ndërsa 13 për qind të tjera përdorin pajisje portative, të cilat zakonisht ftohin dukshëm më pak. Arsyeja është e qartë: deri para pak kohësh, kondicionerët nuk ishin të nevojshëm në shumë vende evropiane, veçanërisht në ato veriore.

Vera të nxehta ka pasur – çfarë ka ndryshuar tani?

Moti i nxehtë ka qenë gjithmonë pjesë e verës në Evropë. Por ndërkohë, valët ekstreme të të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive. Temperaturat e larta që zgjasin me ditë apo edhe javë rrezikojnë infrastrukturën, ekosistemet dhe shëndetin e njerëzve. Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ka treguar se këto valë ekstreme të nxehtit po shtohen më shpejt nga sa kishin parashikuar modelet klimatike, veçanërisht në Evropën Perëndimore.

Një analizë e fundit nga ClimaMeter, një bashkim studiuesish evropianë që hulumtojnë fenomenet ekstreme të motit, zbuloi se temperaturat në qershor 2026 ishin rreth 2 deri në 4 gradë Celsius (3,6 deri në 7,2 gradë Fahrenheit) më të larta se sa do të kishin qenë në kushte të ngjashme në fund të shekullit të 20‑të. “Kjo situatë çon në një rritje të menjëhershme të kërkesës për energji elektrike për ftohje,” shpjegoi Tommaso Alberti, një studiues italian në ClimaMeter, në një deklaratë.

Kërkesa për kondicionerë dhe pajisje ftohëse në Gjermani është rritur me 75 për qind midis viteve 2019 dhe 2024 – viti më i nxehtë i regjistruar deri më tani. Eurovent, shoqata e industrisë për ngrohje, ventilim, ajër të kondicionuar dhe teknologji ftohjeje, ka regjistruar një rritje “të qëndrueshme” në vitet e fundit.

Megjithatë, pavarësisht këtij trendi, në Evropë vazhdon të ketë rezistencë ndaj kondicionerëve, tha Stijn Renneboog, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Eurovent-it: “Në këshillat se si të qëndrojmë të freskët, që qarkullojnë në rrjetet sociale, ende shoh rekomandime për të mos përdorur kondicionerë”, i tha ai DW-së në një email. “Freskimi ende shumë shpesh konsiderohet luks”, shkruan Renneboog. Ndërkohë, nxehtësia përbën një rrezik serioz për shëndetin publik: “Në Evropë çdo vit ka dhjetëra mijëra vdekje të lidhura me temperaturat e larta.”