Për vite me radhë, Edi Rama ka përsëritur sloganin propagandistik “Punë ka, por s’ka profesionistë”.
Megjithatë, të dhënat zyrtare të INSTAT për vitin 2025 tregojnë një realitet krejt tjetër, profesionistë ka, po s’ka punë: mijëra shqiptarë me arsim të lartë janë në kërkim të një vendi pune, por nuk po e gjejnë. Shifrat tregojnë se mbi 17 mijë persona me diplomë universitare rezultojnë të papunë, ndërsa më shumë se gjysma e tyre janë të rinj nën moshën 30 vjeç.
Edhe pse tregu i punës në Shqipëri ka shënuar përmirësim gjatë vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme e personave me arsim universitar vijojnë të mbeten jashtë tregut të punës, pavarësisht se janë aktivisht në kërkim të një punësimi.
Sipas raportit “Tregu i Punës 2025”, të publikuar nga INSTAT, 17.800 persona me arsim të lartë rezultojnë të papunë. Pesha më e madhe e tyre i përket grupmoshave të reja, çka tregon vështirësitë që hasin të diplomuarit për të hyrë në tregun e punës pas përfundimit të studimeve, shkruam Monitor.
Statistikat tregojnë se nga 17.800 të papunët me arsim të lartë, 5.370 janë të moshës 15-24 vjeç, ndërsa 4.323 i përkasin grupmoshës 25-29 vjeç. Në total, 9.693 persona, ose rreth 55% e të gjithë të papunëve me diplomë universitare, janë nën moshën 30 vjeç. Kjo dëshmon se sfida më e madhe mbetet integrimi i të rinjve të diplomuar në tregun e punës.
Grupi tjetër më i madh është ai i moshës 25-54 vjeç, me 11.284 persona, ndërsa numri i të papunëve me arsim universitar mbi 55 vjeç mbetet ndjeshëm më i ulët.
Në total, INSTAT vlerëson se gjatë vitit 2025 në Shqipëri kishte 107.548 persona të papunë. Prej tyre, 45.764 kishin arsim të mesëm, 43.984 arsim 8/9-vjeçar dhe 17.800 arsim të lartë. Kjo do të thotë se personat me diplomë universitare përbëjnë rreth 16,5% të të gjithë të papunëve që kërkojnë punë, por nuk arrijnë të punësohen.
Fakti që më shumë se gjysma e tyre janë të rinj nën 30 vjeç tregon se kalimi nga universiteti drejt punësimit vazhdon të jetë një nga hallkat më problematike të tregut të punës në Shqipëri, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të treguesve të punësimit.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me mospërputhjen mes profileve që nxjerr sistemi universitar dhe nevojave reale të tregut. Ekonomia shqiptare vijon të gjenerojë më shumë vende pune në sektorë si shërbimet, turizmi, ndërtimi dhe tregtia, ndërsa shumë të diplomuar përfundojnë studimet në degë që nuk përkojnë me kërkesat e bizneseve.
Një tjetër faktor është mungesa e përvojës. Shumë të rinj hyjnë në tregun e punës me diplomë universitare, por pa aftësitë teknike, digjitale, gjuhësore apo profesionale që kërkojnë punëdhënësit.
Po ashtu, një pjesë e të diplomuarve kanë pritshmëri më të larta për pagën dhe pozicionin e punës, duke mos pranuar vende pune që nuk lidhen me profesionin ose që ofrojnë paga të ulëta, çka zgjat periudhën e papunësisë pas diplomimit.
Në thelb, problemi mbetet mungesa e lidhjes së arsimit me nevojat e tregut. Praktikat profesionale, orientimi në karrierë dhe bashkëpunimi mes universiteteve dhe kompanive vijojnë të jenë të pamjaftueshme për ta bërë kalimin nga shkolla drejt punësimit më të shpejtë dhe më efektiv.







