Ballina Sport Bastoni nën hetim për prostitucion me të mitur, mbrojtësi i Interit përfshihet...

Bastoni nën hetim për prostitucion me të mitur, mbrojtësi i Interit përfshihet në skandalin e eskortave

70
0

Mbrojtësi i Alessandro Bastoni, i Inter dhe i kombëtares italiane, është vënë nën hetim nga Prokuroria e Milanos për dyshime mbi veprën penale të prostitucionit me të mitur.

Sipas mediave italiane, Bastoni ka marrë këtë të martë njoftimin zyrtar të hetimit dhe pritet të merret në pyetje në ditët në vijim. Emri i tij ka dalë në kuadër të hetimeve për një agjenci eskortash me bazë në Cinisello Balsamo, e cila dyshohet se organizonte festa dhe mbrëmje luksoze për klientë VIP, mes tyre edhe futbollistë.

Dyshimi ndaj Bastonit lidhet me një takim të dyshuar me një vajzë që në kohën e ngjarjes ishte 17 vjeçe. Megjithatë, çështja mbetet ende e paqartë, pasi vetë vajza, e pyetur si dëshmitare, ka deklaruar se mes tyre nuk ka pasur marrëdhënie seksuale. Pavarësisht kësaj, sipas dosjes hetimore, ekzistojnë biseda dhe komunikime që dokumentojnë kontaktin mes tyre, të ndërmjetësuar nga një bashkëpunëtor i agjencisë.

Në të njëjtën dosje, autoritetet italiane kanë thirrur për të dhënë dëshmi edhe futbollistët Daniel Maldini, Riccardo Calafiori dhe Kevin Bonifazi. Ata nuk janë nën hetim dhe janë thirrur vetëm në cilësinë e dëshmitarëve.

Hetimi synon të zbardhë mënyrën e funksionimit të rrjetit të eskortave, identifikimin e organizatorëve, personave që rekrutonin vajzat dhe atyre që kujdeseshin për transportin e tyre. Sipas akuzës, aktiviteti kryesor i këtij rrjeti ishte organizimi i festave për klientë VIP në lokalet më ekskluzive të Milanos, ku paketat përfshinin darkë, klub nate dhe, për klientët që e kërkonin, qëndrim në hotel me shërbime seksuale dhe përdorim të gazit ilarant.