Ballina Kulturë Katër dekada bukurie në objektivin e Fadil Berishës: një ekspozitë që e...

Katër dekada bukurie në objektivin e Fadil Berishës: një ekspozitë që e shndërron imazhin në histori dhe identitet

66
0

Dilara Sollova

Në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival është hapur ekspozita “Before Beauty / After Beauty” e fotografit me famë ndërkombëtare Fadil Berisha, një prej artistëve shqiptarë që për katër dekada ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në industrinë globale të modës, fotografisë dhe artit vizual. Për publikun e gjerë, emri i Fadil Berishës lidhet me portretet e figurave më të njohura të botës së modës, filmit dhe spektaklit. Për dekada me radhë, objektivi i tij ka dokumentuar bukurinë në format e saj më ikonike, duke krijuar imazhe që kanë qarkulluar në revista prestigjioze, fushata ndërkombëtare dhe platforma që kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohet estetika bashkëkohore. Megjithatë, ekspozita e hapur në Prishtinë shkon përtej suksesit profesional dhe përtej emrave të njohur që kanë kaluar para aparatit të tij.

Katër dekada bukurie në objektivin e Fadil Berishës: një

“Before Beauty / After Beauty” paraqet një reflektim të gjerë mbi vetë nocionin e bukurisë. Teksti kuratorial i ekspozitës e vendos krijimtarinë e Berishës brenda një dialogu mes industrisë globale të imazhit dhe rrënjëve kulturore nga të cilat ai vjen. Për katër dekada, Berisha ka punuar në hapësirat ku prodhohen dhe shpërndahen idealet e bukurisë, por fotografitë e tij nuk mbeten të kufizuara në këto sisteme. Në veprat e ekspozuara shfaqen jehona të kinemasë, glamurit dhe figurës ikonike, por ato zhvendosen në trupa, vende dhe histori që zakonisht nuk konsiderohen si burim i këtyre narrativave. Në këtë mënyrë, fotografia e tij sfidon perceptimet tradicionale mbi origjinën e bukurisë dhe mënyrën se si ajo ndërtohet në vetëdijen kolektive.

Katër dekada bukurie në objektivin e Fadil Berishës: një

Në të njëjtën kohë, puna e Berishës mbështetet në një ndjenjë më të thellë të formës, të rrënjosur në Ballkan. Sipas konceptit kuratorial, bukuria në fotografitë e tij nuk lind nga standardet e pandryshueshme, por nga prania, proporcioni dhe përmbajtja njerëzore. Ajo nuk paraqitet si një ideal i paarritshëm, por si një realitet që mund të shfaqet në kultura, histori dhe gjeografi të ndryshme. Duke punuar kryesisht me figura femërore, Berisha ka ndërtuar një arkiv të pasur imazhesh që dëshmojnë se bukuria nuk i përket një vendi të vetëm dhe as një historie të vetme. Përmes fotografive të tij, ajo riformulohet vazhdimisht, duke marrë kuptime të reja në kontekste të ndryshme. Edhe kur para objektivit të tij qëndrojnë figura ikonike të njohura në mbarë botën, vështrimi i fotografit mbetet i përqendruar tek humanizmi, tek individi dhe tek ajo që e bën secilin portret unik.

Një element i rëndësishëm i krijimtarisë së tij është edhe raporti me trupin dhe lëvizjen. I ndikuar nga angazhimi i hershëm me vallëzimin, Berisha i qaset figurës njerëzore me një ndjeshmëri të veçantë ndaj ritmit, pozicionimit dhe energjisë së trupit. Në fotografitë e tij, drita, ngjyra dhe lëvizja krijojnë një koreografi vizuale që e dallon qartë stilin e tij artistik.

Katër dekada bukurie në objektivin e Fadil Berishës: një

E bashkëkuruar nga Ovul O. Durmuşoğlu dhe Artan Korenica, ekspozita vjen si një udhëtim nëpër dekada krijimtarie, duke sjellë para publikut fotografi që kanë lindur në qendrat më të rëndësishme të industrisë së modës dhe kulturës vizuale globale, por që mbajnë njëkohësisht gjurmë të qarta të identitetit dhe prejardhjes së autorit.

Me fjalët e mirëseardhjes së tij, Rame Lahaj hapi edicionin e gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival, duke e çelur njëkohësisht edhe programin artistik të këtij viti me ekspozitën “Before Beauty / After Beauty” të fotografit me famë ndërkombëtare Fadil Berisha, e cila u prezantua në kuadër të festivalit. Mes emocioneve të fillimit të një tjetër kapitulli artistik të festivalit, Lahaj veçoi kënaqësinë që këtë rrugëtim e nis së bashku me një prej emrave më të mëdhenj shqiptarë në arenën ndërkombëtare të artit vizual, fotografin Fadil Berisha, ekspozita e të cilit “Before Beauty / After Beauty” hapi programin artistik të festivalit.

Në fotografitë e Berishës, bukuria nuk paraqitet si një standard i ngrirë. Ajo shfaqet si prani, si dritë, si lëvizje dhe si emocion. Teksti kuratorial e lidh këtë qasje edhe me një kuptim më të hershëm të formës, të rrënjosur në Ballkan, ku bukuria lind nga proporcioni, përmbajtja dhe natyrshmëria, e jo vetëm nga idealet e imponuara. Kjo është arsyeja pse, edhe kur para objektivit të tij kanë qëndruar figura ikonike të njohura në mbarë botën, fotografitë e tij nuk kanë qenë thjesht portrete të famës. Në qendër të tyre ka qenë gjithmonë njeriu.

Teksa publiku po shëtiste mes fotografive që përmbledhin katër dekada krijimtari, për Fadil Berishën ky moment kishte një domethënie që shkon përtej një ekspozite të zakonshme. Ndonëse karriera e tij është ndërtuar në qendrat më të rëndësishme të fotografisë dhe modës ndërkombëtare, prezantimi i punës së tij në Kosovë mbetet një emocion krejt i veçantë.

Përtej dimensionit artistik, ekspozita në Prishtinë mbart edhe një domethënie të veçantë personale për vetë fotografin. Në një intervistë ekskluzive për KultPlus, Fadil Berisha foli për emocionet që i sjell rikthimi me veprën e tij para publikut shqiptar.

““Për mua ka shumë rëndësi puna jem nëpër botë, por me kon këtu me punën tem është gjëja më e madhe në botë, një gëzim më i madh se çdo gjë në botë. Ky është inspirim dhe, inshallah, i inspiron të rinjtë. E kemi një masterclass nesër e pasnesër për studentët, të punojmë me ata. Kenaqesi dhe ku ka ma bukur se këtu, në vendin tonë?”, tha Berisha për KultPlus.

Përtej rrugëtimit të tij ndërkombëtar dhe emrave të mëdhenj që kanë kaluar para objektivit të tij, për Fadil Berishën kjo ekspozitë mbart edhe një dimension të veçantë identitar. Ai e sheh “Before Beauty / After Beauty” jo vetëm si një prezantim të krijimtarisë së tij artistike, por edhe si një mundësi për të vënë në pah bukurinë shqiptare dhe kontributin që figura shqiptare kanë dhënë në skenën ndërkombëtare të bukurisë.

“Kjo ekspozitë është për me tregu bukurinë shqiptare”, u shpreh Berisha.

Përgjatë rrugëtimit të tij profesional, Fadil Berisha jo rrallëherë ka folur për rëndësinë e përfaqësimit të shqiptarëve në skenën ndërkombëtare. Përmes fotografisë, ai ka synuar jo vetëm të ndërtojë një karrierë personale të suksesshme, por edhe të promovojë imazhin e shqiptarëve në botë.

Duke kujtuar disa prej momenteve që i kanë sjellë emocionet më të mëdha gjatë karrierës së tij, ai veçoi sukseset e figurave shqiptare që kanë arritur të bëhen pjesë e skenës ndërkombëtare të bukurisë. Berisha kujtoi me emocion edhe sukseset e Marigona Dragushës dhe Zana Krasniqit, të cilat sipas tij kanë qenë ndër figurat që e kanë prezantuar bukurinë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

“Ato kanë qenë imazhi ynë në krejt botën. Të dyja kanë fitu si femrat më të bukura në botë. Ato janë dy ngjarje që më kanë bo me lot, sepse është dokumentu në krejt botën se këto janë më të bukurat në botë”, tha Berisha..

Një rol të rëndësishëm në realizimin e ekspozitës ka pasur edhe kuratori Artan Korenica, i cili prej vitesh e njeh nga afër krijimtarinë e Fadil Berishës. Përzgjedhja e fotografive, sipas tij, ka qenë një proces i mbështetur mbi njohjen e gjatë të punës së artistit dhe dëshirën për të sjellë para publikut fotografi që nuk janë parë shpesh, duke nxjerrë në pah dimensionin artistik të veprës së tij.

Duke folur për KultPlus, Korenica tregoi se përvoja e gjatë me punën e Berishës e ka bërë më të lehtë procesin e kurimit të ekspozitës.

“Emocionet nuk mundem me i shpjegu, pasi që kam punu shumë gjatë me Fadilin. Ia njoh shumë mirë punën edhe krejt çka kam provu ka qenë me ia zgjedh fotografitë që nuk i ka publiku zakonisht. Shumica e punëve i kanë zgjedh ma shumë. Ka qenë koncentrimi tek bukuria, qajo pjesë ku ky është super i mirë. E unë gjithmonë ia kam shiku shumë fotografi, sepse ka kohë që punoj me Fadilin, e kam njoft punën e tij shumë mirë. Kështu që për mu u kon shumë lehtë, pasi e kam përcjellë për një kohë të gjatë dhe shumë lehtë i kam zgjedh fotot prej atyre që më kanë pëlqy shumë”, tha Korenica..

Pikërisht ky fokus tek fotografia si art, dhe jo tek fama e personazheve të fotografuar, ka udhëhequr edhe konceptin kuratorial të ekspozitës. Sipas Korenicës, përzgjedhja e veprave kësaj radhe është larguar qëllimisht nga figurat e njohura që publiku i lidh menjëherë me emrin e Fadil Berishës, duke u përqendruar tek fotografitë që mbartin vlerën më të madhe artistike.

“Është hera e parë që unë nuk kam zgjedh figura të famshme, sepse i kanë pa të gjitha figurat. Fadili është shumë i njohur. Nuk më ka interesu kush është në fotografi, por më ka interesu cilat foto i ka më të bukura dhe që janë art. Kështu që nuk jam marrë me fotografitë e famshme”, tha ai..

Në përmbyllje, “Before Beauty / After Beauty” mbetet një reflektim i gjerë dhe i thellë mbi mënyrën se si bukuria ndërtohet, perceptohet dhe rishfaqet përtej kohës, kufijve dhe konteksteve kulturore. Përmes një gjuhe vizuale të formuar gjatë katër dekadave krijimtarie, Fadil Berisha sjell një univers fotografik ku imazhi nuk funksionon vetëm si dokumentim i momentit, por si një mënyrë e të menduarit dhe e të ndierit, ku fotografia shndërrohet në kujtesë, në identitet dhe në një rrjedhë të vazhdueshme të përjetimit estetik.

Në këtë ekspozitë, e gjithë përvoja e tij ndërkombëtare bashkohet me një ndjeshmëri të thellë ndaj formës dhe njeriut, duke e bërë çdo fotografi pjesë të një narrative më të madhe mbi bukurinë si koncept në lëvizje. E vendosur në këtë kontekst, ekspozita nuk mbyllet si një retrospektivë e thjeshtë, por si një hapësirë e hapur reflektimi, ku publiku ftohet të rikthehet sërish për të parë, përjetuar dhe interpretuar në mënyra të ndryshme.

“Before Beauty / After Beauty” do të vazhdojë të qëndrojë e hapur për publikun nga data 4 deri më 31 korrik, nga e hëna deri të shtunën, në orarin 15:00–20:00, duke ofruar mundësinë që kjo përvojë vizuale të mos mbetet një moment i vetëm, por një dialog i vazhdueshëm me veprën e Fadil Berishës dhe me vetë idenë e bukurisë që ajo ngre./KultPlus/