Harper Beckham pritet të festojë 15-vjetorin e lindjes muajin e ardhshëm, por sipas mediave britanike, dhurata që ajo dëshiron më shumë nuk mund të blihet me para.
Mes tensioneve të vazhdueshme që kanë përfshirë familjen Beckham, vajza e David Beckham dhe Victoria Beckham thuhet se ka vetëm një dëshirë: të ribashkohet me vëllain e madh, Brooklyn Beckham.
Sipas Daily Mail, Harper vazhdon të jetë e afërt emocionalisht me Brooklyn dhe është prekur nga përçarja familjare që ka zgjatur prej muajsh. Burime pranë familjes pretendojnë se ajo shpreson që ditëlindja e saj të shërbejë si një mundësi për pajtim.
Megjithatë, kjo duket e vështirë. Marrëdhëniet mes Brooklyn, bashkëshortes së tij Nicola Peltz dhe pjesës tjetër të familjes vazhdojnë të jenë të acaruara, ndërsa përpjekjet për afrim nuk kanë dhënë rezultat.
Vetëm pak javë më parë, Harper u fotografua teksa shkoi në shtëpinë e Brooklyn në Los Angeles, por vizita përfundoi pa një takim, pasi ai nuk ndodhej aty. Episodi u kthye menjëherë në qendër të vëmendjes dhe ushqeu edhe më shumë spekulimet për krizën familjare.
Ndërsa ditëlindja e saj po afron, burime pranë familjes thonë se Harper nuk kërkon dhurata luksoze apo festa madhështore. Dëshira e saj më e madhe mbetet rikthimi i harmonisë në familje dhe mundësia për të kaluar sërish kohë me vëllain e madh.
Nëse kjo do të ndodhë, mbetet për t’u parë, por për momentin duket se është dhurata më e vështirë që familja Beckham mund t’i bëjë vajzës së tyre.







