Ish-presidenti Bamir Topi dëshmoi në Gjykatën e Posaçme në procesin kundër Sali Berishës, dhëndrit të këtij të fundit, Jamarbër Malltezit dhe disa të pandehurve të tjerë në atë që njihet si procesi Partizani. Ai tha se i vetmi shqetësim lidhur me ish-klubin sportiv iu ngrit nga Vladimir Qirjazi, porse asnjëherë nuk ka pasur presion lidhur me këtë çështje.
I pyetur nga SPAK nëse, në lidhje me klubin Partizani, gjatë periudhës si president ishte vënë ose jo në dijeni për ndonjë problematikë, ish-presidenti Topi deklaroi se gjeneral Vladimir Qirjazi i pati përcjellë një shqetësim. “Në mos gaboj, ka ardhur gjeneral Qirjazi. E prita duke menduar që ishte në statusin e gjeneralit. Ka filluar të ekspozojë shqetësimin, në fund të ditës kam marrë informacion nga shefi i kabinetit, duke thënë që nuk është në juridiksionin e Presidencës, sepse ka dalë nga plani i përhapjes. Kaq ka qenë komunikimi, unë kam marrë infon, ai ka ikur. I kam dhënë asistencën si kryetar shteti”, tha Bamir Topi.
I pyetur nga Jamarbër Malltezi nëse kishte pasur presion nga Berisha, Malltezi dhe të tjerët për çështjen e klubit Partizani, ish-presidenti u përgjigj: “Kurrë, kurrë! Nuk ka dalë ndonjëherë kjo histori. Asnjëherë! Jam shprehur edhe para Prokurorisë që s’kam pasur asnjë presion të kësaj natyre”.







