Për më shumë se dy dekada, Hoyt Richards, një nga supermodelet më të njohura meshkuj të viteve ’80 dhe ’90, jetoi një jetë të dyfishtë. Ndërsa në pasarela punonte me markat më prestigjioze të modës dhe fotografohej nga emrat më të mëdhenj të industrisë, në jetën private ishte nën kontrollin e një sekti që i kushtoi karrierën, pasurinë dhe marrëdhëniet me familjen.
Historia e tij rrëfehet në dokumentarin e HBO-së “Breathing Through the Darkness”, ku Richards tregon për herë të parë se si u manipulua nga Frederick von Mierers, një person që ndërtoi një kult të bazuar në teori mistike, mashtrime dhe kontroll psikologjik.
Një takim që ndryshoi gjithçka
Gjithçka nisi kur Richards ishte vetëm 16 vjeç. Në një plazh në ishullin Nantucket të Massachusetts-it ai u njoh me Frederick von Mierers, një burrë rreth 30 vjeç, karizmatik dhe shumë bindës.
Von Mierers i fliste për filozofinë lindore, astrologjinë dhe rimishërimin, por mbi të gjitha e bindi adoleshentin se ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me një mision të veçantë në Tokë. Me kalimin e viteve, ndërsa Richards studionte në Universitetin Princeton, ndikimi i tij u bë gjithnjë e më i fortë, derisa ai filloi t’i besonte më shumë “gurusë” sesa familjes apo miqve. Frederick von Mierers, emri i vërtetë i të cilit ishte Fred Meyers nga Brooklyni, e paraqiste veten si aristokrat evropian dhe pretendonte se ishte pushtuar nga një qenie jashtëtokësore nga ylli Arcturus. Ai thoshte gjithashtu se ishte rimishërimi i profetit Jeremia dhe se fundi i botës do të vinte në vitin 1999.
Sipas tij, vetëm njerëzit fizikisht “të përsosur” do të mbijetonin dhe do të udhëhiqnin njerëzimin në një epokë të re. Për këtë arsye ai rekrutonte kryesisht modele të bukura, të cilat i konsideronte “të zgjedhurit”.
Në grup u përfshinë disa emra të njohur të modës, ndërsa supermodeli italian Fabio Lanzoni u largua shpejt pasi kuptoi se diçka nuk shkonte.
Sekti, i quajtur “Eternal Values” (“Vlerat e Përjetshme”), kontrollonte çdo aspekt të jetës së anëtarëve. Ata inkurajoheshin të shkëpusnin kontaktet me familjet, të jetonin së bashku dhe t’i bindeshin pa kushte udhëheqësit. Von Mierers vendoste çfarë duhej të hanin, me kë mund të kishin marrëdhënie dhe madje përdorte poshtërimin publik për të mbajtur nën kontroll ata që e kundërshtonin.
Një tjetër burim fitimi ishte shitja e gurëve të çmuar, të cilëve u atribuoheshin fuqi shëruese. Përmes vlerësimeve të rreme dhe “këshillimeve shpirtërore” me pagesë, ai përfitoi miliona dollarë nga ndjekësit e tij.
Në kulmin e karrierës së tij, Hoyt Richards ishte një nga modelet meshkuj më të paguara në botë. Ai punoi me stilistin Donna Karan, u fotografua nga Bruce Weber dhe pozoi krah Cindy Crawford. Megjithatë, pothuajse të gjitha të ardhurat e tij përfundonin në llogaritë e sektit. Vetë Richards besonte se ishte një “ndërgjegje aliene” nga Arcturus dhe se kishte një rol vendimtar në shpëtimin e njerëzimit.
Sipas vlerësimeve, gjatë 20 viteve ai i dhuroi sektit mbi 4 milionë dollarë. Nena dhe motrat e vëllezërit e Richards nisën të dyshonin kur ai filloi të fliste për alienë dhe t’i transferonte të gjitha fitimet familjes së von Mierers.
Ata organizuan edhe një përpjekje për ta larguar nga sekti, por dështuan. Pas kësaj, Richards ndërpreu pothuajse çdo kontakt me familjen, duke besuar se ata përfaqësonin “energji negative”.
Hetimi që rrëzoi kultin
Në vitin 1990, gazetarja Marie Brenner publikoi një investigim në revistën Vanity Fair, ku zbuloi identitetin e vërtetë të Frederick von Mierers dhe mënyrën se si ai mashtronte ndjekësit.
Burimi kryesor i hetimit ishte ish-modelja Jackie Adams, e cila vendosi të fliste publikisht.
Vetëm pesë ditë para botimit të artikullit, von Mierers ndërroi jetë nga komplikacionet e lidhura me AIDS-in.
Richards ka treguar se ai dhe anëtarët e tjerë të sektit u kujdesën për të deri në fund, pa qenë të vetëdijshëm për rreziqet shëndetësore që ekzistonin në atë kohë. Megjithëse udhëheqësi i sektit kishte vdekur, Richards qëndroi i lidhur me grupin deri në vitin 1999. Kur më në fund u largua, ishte 37 vjeç, pa kursime, me karrierën e shkatërruar dhe me pasoja të rënda psikologjike.
Në atë periudhë, ndihma erdhi nga miku i tij, Fabio Lanzoni, i cili e strehoi në shtëpinë e tij në Los Angeles, e mbështeti financiarisht dhe e ndihmoi të rikthente kontaktet me familjen.
Sot, 64-vjeçari jeton në Los Angeles, punon si aktor, producent dhe këshilltar për personat që largohen nga sektet. Ai ka rindërtuar marrëdhëniet me familjen dhe ka treguar historinë e tij në dokumentarin e HBO-së, me shpresën se përvoja e tij do të shërbejë si paralajmërim për mënyrën se si manipulimi psikologjik mund të shkatërrojë jetën e një njeriu.







