Ballina Dossier Letra e rrallë e vitit 1926/ Mario Roques i shkruante Mit’hat Frashërit:...

Letra e rrallë e vitit 1926/ Mario Roques i shkruante Mit’hat Frashërit: “Na dërgoni libra shqip, kemi shumë nevojë për ta”

90
0

Një letër e rrallë, e shkruar më 6 dhjetor 1926 në Paris nga albanologu dhe gjuhëtari i njohur francez Mario Roques, hedh dritë mbi përpjekjet e para për institucionalizimin e studimeve shqiptare në Francë dhe rolin që luante Mit’hat Frashëri (Lumo Skëndo) në përhapjen e librit shqip në Evropë.

Në letrën drejtuar Mit’hat Frashërit, Roques shpreh fillimisht keqardhjen që nuk i ishte përgjigjur më herët dhe e falënderon për dërgimin e veprës së Kristoforidhit.

Më pas ai ndalet te një lajm që e kishte gëzuar veçanërisht: hapja e librarisë “Lumo Skëndo” në Tiranë.

“E prita këtë lajm me shumë gëzim, me shpresën se nëpërmjet jush do të mund të gjenim më lehtë librat shqiptarë për të cilët kemi shumë nevojë”, shkruan albanologu francez.

Roques i kërkon Mit’hat Frashërit t’i sigurojë botime shqiptare, duke nisur nga Fjalori i Shoqërisë “Bashkimi”, të cilin nuk po arrinte ta gjente. Ai kërkon gjithashtu lista me libra mbi gjuhën, letërsinë, historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, për të pasuruar bibliotekat dhe studimet shqiptare në Paris.

Në letër, Mario Roques zbulon edhe gjendjen e studimeve të shqipes në Francë në vitin 1926.

Ai shkruan se vazhdon pa ndërprerje të japë mësimin e gjuhës shqipe në Shkollën e Gjuhëve Orientale në Paris, por thekson se ende nuk ekzistonte një katedër zyrtare e gjuhës shqipe. Kurset zhvilloheshin si pjesë e mësimeve për gjuhët e Evropës Lindore.

Sipas tij, biblioteka shqiptare e shkollës po pasurohej gradualisht me libra të blerë falë fondeve të institucionit, ndërsa numri i studentëve nuk ishte i madh, por përbëhej nga studiues seriozë.

Në letër përmenden edhe disa prej tyre, si zvicerani Cuendet, rusi Lozinski dhe rumuni Petrovici, të cilët studionin gjuhën shqipe.

Një tjetër detaj me rëndësi është se Mario Roques njofton Mit’hat Frashërin se po punonte për hartimin e një gramatike elementare të shqipes, si edhe të një fjalori frëngjisht-shqip dhe shqip-frëngjisht. Paralelisht ai vijonte kërkimet mbi dokumentet e vjetra të gjuhës shqipe dhe përgatitjen e një botimi kritik të Dictionarium latino-epiroticum.

Në fund të letrës, albanologu francez shpreh interes edhe për revistën “Diturija”, duke pyetur nëse mund të realizonte një abonim për qendrën e studimeve shqiptare në Paris.

Kjo letër përbën një dëshmi të rëndësishme historike për lidhjet mes studiuesve evropianë dhe intelektualëve shqiptarë në vitet ’20. Ajo tregon se, në një kohë kur Shqipëria ishte ende një shtet i ri, gjuha dhe kultura shqiptare kishin filluar të zinin vend në institucionet akademike të Evropës falë bashkëpunimit të figurave si Mario Roques dhe Mit’hat Frashëri./vna