Ballina Europë Mbi 30 mijë hektarë të djegur, Spanja në betejë me flakët dhe...

Mbi 30 mijë hektarë të djegur, Spanja në betejë me flakët dhe vapën ekstreme

69
0

Spanja po përballet me një nga zjarret më të mëdha dhe më të vështira të viteve të fundit. Mbi 600 zjarrfikës, ushtarë dhe dhjetëra mjete ajrore vijojnë luftën me flakët, ndërsa vala e re e të nxehtit po e bën situatën edhe më kritike.

Për të gjashtën ditë radhazi, autoritetet spanjolle vijojnë betejën me një zjarr masiv në provincën e Guadalajarës, rreth 100 kilometra në veri të Madridit, i konsideruar si zjarri më i madh që ka goditur vendin gjatë këtij viti.

Më shumë se 600 zjarrfikës, ushtarë dhe 29 avionë e helikopterë janë angazhuar në operacionin e shuarjes, ndërsa flakët kanë përfshirë rreth 30 mijë hektarë pyje dhe kullota. Rreth 1.200 banorë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa 34 fshatra janë evakuuar si masë sigurie.

Një re e dendur tymi vazhdon të mbulojë zonën malore pranë Tamajonit, ku është ngritur qendra kryesore e operacionit. Mjetet ajrore punojnë pa ndërprerje duke hedhur ujë mbi vatrat më aktive, ndërsa ekipet në terren përpiqen të pengojnë përhapjen e flakëve.

Sipas autoriteteve, terreni i thyer, pyjet e braktisura, bimësia e tharë dhe erërat e forta e kanë bërë jashtëzakonisht të vështirë kontrollin e flakëve. Situata rëndohet edhe më shumë nga vala e tretë e të nxehtit që ka përfshirë Spanjën, me temperatura që në shumë rajone pritet të kalojnë 40 gradë Celsius.