Ballina Bota Tragjedi në Peru/ Zjarri në banesë i merr jetën 10 personave, mes...

Tragjedi në Peru/ Zjarri në banesë i merr jetën 10 personave, mes viktimave pesë fëmijë

73
0

Një tragjedi e rëndë ka tronditur Perunë, ku dhjetë persona, mes tyre pesë fëmijë të mitur, humbën jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që shpërtheu në një banesë në kryeqytetin Lima.

Sipas autoriteteve, zjarri ra rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas kohës lokale, në lagjen La Victoria. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke shkatërruar plotësisht dy banesa dhe duke mos u lënë mundësi banorëve të shpëtonin.

Mes viktimave janë nëntë anëtarë të familjes Vilches, përfshirë pesë fëmijë të moshës nga 3 deri në 15 vjeç. Viktima e dhjetë është një person tjetër që ndodhej në zonë në momentin e zjarrit.

Zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe punuan për disa orë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa banesat u shkrumbuan plotësisht.

Autoritetet peruane kanë nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e tragjedisë. Hetuesit po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme dhe nuk kanë përjashtuar asnjë skenar, ndërsa deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse zjarri ishte aksidental apo rezultat i një akti kriminal.