Ballina Europë Fqinji hero shpëton 33-vjeçaren pasi ish-partneri i vuri flakën në Berlin

Fqinji hero shpëton 33-vjeçaren pasi ish-partneri i vuri flakën në Berlin

68
0

Një grua 33-vjeçare është plagosur rëndë në Berlin, pasi dyshohet se u sulmua me thikë dhe më pas iu vu zjarri nga ish-partneri i saj në një strehë për persona të pastrehë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 në rrugën Wexstrasse, ku pas raportimit të incidentit në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit, policia, një mjek urgjence dhe një helikopter shpëtimi.

Sipas policisë, pas një grindjeje, i dyshuari 44-vjeçar e sulmoi gruan me thikë, e spërkati me benzinë dhe më pas i vuri flakën, përpara se të largohej nga vendi i ngjarjes, raportojnë mediat gjermane, përfshirë Bild.

Jeta e 33-vjeçares u shpëtua falë reagimit të shpejtë të një fqinji 39-vjeçar, i cili arriti t’i shuajë flakët me një batanije dhe menjëherë njoftoi policinë dhe shërbimet emergjente.

E plagosura u transportua në spital me plagë të rënda nga goditjet me thikë dhe djegiet, ndërsa fqinji nuk pësoi lëndime gjatë ndërhyrjes.

Policia ka nisur një operacion kërkimi për kapjen e autorit të dyshuar, i cili vazhdon të jetë në arrati. Hetimet janë hapur për sulm të rënduar, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje dyshohet se janë shtetas gjermanë.