Ballina Kuriozitete Si u shpik barkodi

Si u shpik barkodi

47
0

Me 26 qershor të vitit 1974, në një supermarket Marsh në Troy, Ohio, një punonjëse skanoi për herë të parë një produkt ushqimor,një pako çamçakëzësh Wrigley’s Juicy Fruit, duke përdorur Kodin Universal të Produktit (UPC), i njohur sot si barkodi. Që nga ai moment, barkodi u përhap me shpejtësi dhe sot përdoret kudo, nga supermarketet dhe spitalet deri te robotët eksplorues në Mars.

Barkodi u krijua për të zgjidhur problemet e procesit të ngadaltë të regjistrimit të produkteve në dyqane, por ndikimi i tij shkoi shumë më tej. Ai ndryshoi mënyrën se si bëhen blerjet dhe si menaxhohet informacioni.

Paul V. McEnroe, drejtuesi i ekipit që zhvilloi barkodin modern, thotë se e prisnin suksesin e tij, por jo faktin që do të bëhej një teknologji kaq e përhapur dhe e përdorur për dekada.

Ideja e parë lindi në plazh

Edhe pse barkodi UPC u përdor për herë të parë në vitin 1974, përpjekjet për krijimin e një sistemi të tillë kishin nisur shumë më herët. Në vitin 1949, Norman Joseph Woodland dhe Bernard Silver paraqitën një patentë për një sistem identifikimi produktesh të bazuar në rrathë koncentrikë, i njohur si “bull’s-eye”.

Woodland pati idenë teksa kalonte gishtat në rërën e plazhit. Ai kuptoi se vijat me trashësi të ndryshme mund të përfaqësonin të dhëna, njësoj si pikat dhe vijat në kodin Morse. Megjithatë, teknologjia e kohës nuk ishte gati. Sistemi kërkonte pajisje të kushtueshme dhe nuk ekzistonte një mënyrë praktike për ta lexuar.

Në vitet që pasuan u provuan edhe sisteme të tjera. Njëri prej tyre ishte KarTrak, i përdorur për identifikimin e vagonëve të trenave. Megjithëse funksiononte në teori, kodi dëmtohej lehtësisht nga bora dhe balta, duke shkaktuar gabime në lexim.

Hyn në lojë IBM

Në vitin 1969, IBM vendosi të zhvillonte teknologji të reja brenda kompanisë. Paul McEnroe mori drejtimin e një projekti për të krijuar një sistem modern për pikat e shitjes.

Së bashku me specialistë të marketingut dhe inxhinierë, ai formoi ekipin Consumer Transaction Systems. Edhe pse shumica e anëtarëve nuk kishin përvojë me pajisjet e arkave, kjo u dha lirinë të eksperimentonin pa u kufizuar nga zgjidhjet ekzistuese.

Një nga figurat më të rëndësishme ishte inxhinieri George Laurer. Ai besonte se kodi me rrathë nuk do të ishte praktik dhe propozoi përdorimin e vijave të drejta, të cilat mund të lexoheshin nga çdo drejtim falë një dritareje skanimi në formë “X”. Ky dizajn u bë baza e barkodit që përdoret edhe sot.

Zgjedhja e standardit

Në vitin 1970, Shoqata Kombëtare e Zinxhirëve Ushqimorë në SHBA krijoi një komision për të zgjedhur një sistem standard identifikimi të produkteve. Ekipi i IBM-së përfundoi versionin e parë të barkodit në vitin 1971 dhe paraqiti propozimin një vit më vonë.

Në garë ishin shtatë projekte, përfshirë edhe kodin me rrathë të Woodland dhe Silver, tashmë në pronësi të RCA. Megjithatë, barkodi me rrathë zinte më shumë hapësirë dhe ishte më i vështirë për t’u printuar pa gabime.

Ironikisht, vetë Woodland, i cili atëherë punonte për IBM-në, mbështeti ekipin e McEnroe-s dhe ndihmoi që sistemi me vija të zgjidhej si standard. Pas disa përmirësimeve teknike, komisioni miratoi projektin e IBM dhe UPC u bë standardi zyrtar i industrisë.

Fillimi nuk ishte i lehtë

Përveç krijimit të barkodit, IBM-ja zhvilloi edhe skanerët, kompjuterët dhe programet që e bënin sistemin funksional. Megjithatë, përhapja e teknologjisë hasi në pengesa.

Disa sindikata kundërshtuan barkodin nga frika se automatizimi do të ulte numrin e vendeve të punës. Organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve kërkonin që çmimet të vazhdonin të shënoheshin mbi çdo produkt, duke argumentuar se kjo i ndihmonte blerësit të krahasonin çmimet.

Madje, 18 shtete amerikane miratuan ligje që lejonin përdorimin e skanerëve vetëm nëse produktet vazhdonin të kishin çmimin të shtypur mbi to. Kjo zvogëlonte një nga përfitimet kryesore ekonomike të sistemit.

Megjithatë, kundërshtimet u zbehën gradualisht. Në fillim të viteve 1980 gjithnjë e më shumë supermarkete filluan ta përdornin barkodin dhe deri në vitin 1989 ai ishte pjesë e më shumë se gjysmës së shitjeve ushqimore në SHBA.

Një teknologji që ndryshoi botën

McEnroe e konsideron shpikjen e barkodit një sukses të të gjithë ekipit, por thotë se George Laurer meriton vlerësim të veçantë për kontributin e tij vendimtar në dizajnin përfundimtar.

Një nga arsyet pse barkodi u përhap kaq shpejt ishte se ai nuk mbeti pronë e një kompanie të vetme. Për t’u miratuar si standard, të gjitha palët ranë dakord të hiqnin dorë nga të drejtat ekskluzive mbi patentën. IBM nuk fitoi para nga vetë barkodi, por nga shitja e skanerëve, kompjuterëve dhe sistemeve që e përdornin atë.

Sot barkodi përdoret në mbarë botën dhe është bërë pjesë e jetës së përditshme. Ai ka bërë të mundur funksionimin e supermarketeve moderne me mijëra produkte dhe ka ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si identifikohen, gjurmohen dhe shiten mallrat.