Ballina Europë Hodhën qindra mijëra euro në det për t’i shpëtuar Policisë, arrestohen tre...

Hodhën qindra mijëra euro në det për t’i shpëtuar Policisë, arrestohen tre persona në Siçili

43
0

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në plazhin e Marina di Raguzës, në Siçili, ku qindra mijëra euro të gatshme përfunduan në det pasi u hodhën nga një motoskaf që po i afrohej Roja Bregdetare italiane.

Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi kur motoskafi mbeti pa karburant pranë portit të Marina di Raguzës. Në bord ndodheshin katër persona, ndërsa dy prej tyre zbritën në breg për të siguruar karburant. Në anije mbetën një burrë dhe një i mitur.

Teksa mjeti lundrues po afrohej drejt bregut i shtyrë nga rrymat, qytetarët njoftuan Rojën Bregdetare, duke menduar se motoskafi ishte në vështirësi. Por, sapo patrulla iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat në bord nisën të hidhnin në det dhjetëra pako me kartëmonedha.

Rrymat detare i nxorën pakot në plazh, ku pushuesit nxituan t’i merrnin. Pak më vonë, në vendngjarje mbërritën Policia, Karabinierët dhe Garda Financiare, të cilët rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan personat që kishin marrë një pjesë të kartëmonedhave.

Sipas mediave italiane, paratë ishin të ndara në tufa me kartëmonedha nga 5 deri në 100 euro. Deri tani autoritetet kanë sekuestruar afro 700 mijë euro, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e shumës të mos jetë gjetur ende.

Motoskafi u sekuestrua dhe u transportua në port për kontrolle të mëtejshme, ndërsa tre persona u arrestuan në kuadër të hetimeve. Në bord ndodhej edhe një i mitur, i cili, sipas autoriteteve, nuk ka lidhje me tre të arrestuarit.

Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e parave dhe lidhjet e mundshme të tyre me aktivitete të krimit të organizuar.