Ballina Kronika Thyen “Arrestin në shtëpi” dhe shkuan në Vlorë për vjedhje, në pranga...

Thyen “Arrestin në shtëpi” dhe shkuan në Vlorë për vjedhje, në pranga dy shtetas nga Tirana

38
0

Dy persona nga Tirana kanë rënë në prangat e Policisë së Vlorës pasi u kapën në flagrancë teksa tentonin të vidhnin një banesë në qytetin bregdetar, edhe pse të dy ishin me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar pikërisht për të njëjtën vepër penale.

Mësohet se shtetasit A. G., 48 vjeç dhe A. H., 46 vjeç, të dy banues në Tiranë, kishin precedentë të theksuar penalë për vjedhje dhe ishin nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të njëjtën vepër penale.

Sipas policisë, dy të arrestuarit kishin thyer masën e sigurisë dhe ishin zhvendosur nga Tirana drejt Vlorës për të vijuar veprimtarinë kriminale. Ata u kapën në flagrancë në lagjen “Bashkimi”, në momentin kur, me pajisje të posaçme, po tentonin të hapnin derën e një banese me qëllim vjedhjen.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Mercedes-Benz” që përdorej nga autorët, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dhe pajisje të ndryshme për hapjen e bravave dhe kasafortave, si dhe dy telefona celularë.

Operacioni policor i koduar “Again” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për dy persona që dyshohej se kryenin vjedhje në banesa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.