Autoriteti i Pavarur i të Ardhurave Publike të Greqisë (AADE) ka publikuar bilancin e kontrolleve doganore për gjysmën e parë të vitit 2026, ku janë zbuluar raste të shumta të transportit të paligjshëm të valutës, duhanit, mallrave të falsifikuara dhe produkteve të tjera të ndaluara.
Kontrollet janë kryer në aeroporte, porte, pika kufitare tokësore, automjete, bagazhe, pako postare dhe ambiente magazinimi.Për operacionet janë përdorur pajisje me rreze X dhe qen të trajnuar për zbulimin e drogës, armëve dhe mallrave kontrabandë.
Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar mbi 2 milionë euro, krahas shumave të tjera në dollarë, paund britanikë, lira turke, dinarë, lekë dhe monedha të tjera. Autoritetet konfiskuan gjithashtu 60 monedha ari dhe gjashtë shufra ari me peshë totale 190 gramë.
Rastet më të mëdha të valutës së padeklaruar u zbuluan në pikat kufitare të Evzonit dhe Kipit, ku në secilin rast u gjetën mbi 700 mijë euro.
Ndërkohë, në aeroportin ndërkombëtar të Athinës, kontrollet zbuluan para të fshehura në bagazhe të pasagjerëve që mbërrinin nga disa destinacione ndërkombëtare, përfshirë Stambollin, Dohën, Tiranën dhe Nju Jorkun.
Një tjetër sektor i goditur nga operacionet ishte kontrabanda e duhanit. Në total u sekuestruan më shumë se 4 milionë cigare, 70 kilogramë duhan, mijëra puro dhe produkte të duhanit të ngrohur.
Vetëm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” të Athinës, 17 pasagjerë u kapën me afro 698 mijë cigare në bagazhe, ndërsa miliona të tjera u zbuluan në çanta të braktisura.
Kontrollet nxorën në pah edhe një treg të gjerë të produkteve të falsifikuara. Doganat greke konfiskuan mbi 31 mijë artikuj të falsifikuar, mes tyre veshje, këpucë, çanta, ora dhe aksesorë me marka të kopjuara.
Në operacionet doganore u zbuluan gjithashtu qindra armë të paligjshme, telefona celularë, bizhuteri ari, sasi droge, pesticide të ndaluara dhe edhe dy papagaj ekzotikë. Një rast i veçantë ishte sekuestrimi i një pjese trungu të fosilizuar nga Pylli i Fosilizuar i Lesbosit, me vlerë të përllogaritur mbi 7 mijë euro.
AADE pritet të vijojë kontrollet edhe në muajt e ardhshëm, me fokus në parandalimin e kontrabandës, trafikimit të paligjshëm dhe shmangies së detyrimeve doganore në kufijtë e Greqisë.







