Në mitologjinë greke, thuhet se Paridi, princi i Trojës, rrëmbeu, ose, sipas disa burimeve, u arratis me,Helenën, mbretëreshën e Spartës. Kjo ngjarje bëri që një aleancë e qytet-shteteve greke të lundronte përtej Detit Egje e të rrethonte qytetin e madh të Trojës.
Ndërsa rrethimi zgjatej pa fund, një luftëtar grek i njohur për zgjuarsinë e tij, Odiseu, hartoi një plan: të ndërtonin një kalë gjigant prej druri dhe t’ua paraqisnin trojanëve si dhuratë paqeje, ndërsa ushtarët grekë do të fshiheshin brenda tij për ta pushtuar qytetin nga brenda.
Historia e Luftës së Trojës, që mendohet të ketë ndodhur diku mes shekujve XIII dhe XII para Krishtit, është një nga rrëfimet më të famshme në historinë botërore. Ajo u përjetësua nga poema epike Iliada e Homerit dhe nga disa burime të tjera të lashta që kanë mbijetuar deri në ditët tona.
Kali i Trojës… Simbol i luftës apo një plan i vërtetë?
Megjithatë, kjo histori qëndron në kufirin mes realitetit dhe legjendës, duke bërë që shumë njerëz të pyesin se sa prej këtyre ngjarjeve madhështore kanë ndodhur vërtet. Në qendër të këtij debati qëndron pikërisht mashtrimi i famshëm me Kalin e Trojës.
Edhe sot, shumë njerëz besojnë se qyteti i Trojës nuk ka ekzistuar kurrë dhe se Lufta e Trojës është thjesht një trillim. Qyteti i lashtë shpesh vendoset në të njëjtën kategori me Atlantidën: një histori që mund të jetë frymëzuar nga ngjarje reale, por që në fund mbetet pjesë e fantazisë.
Megjithatë, shumica e historianëve bien dakord se qyteti i Trojës ka ekzistuar vërtet. Madje besohet se ai ndodhej në territorin e Turqisë së sotme, në vendin arkeologjik të zbuluar për herë të parë nga arkeologu gjerman HeinrichSchliemann në vitin 1873.
Ndonëse provat për vetë Luftën e Trojës janë të pakta, rrënojat e qytetit mbajnë gjurmë të qarta konfliktesh. Me kalimin e viteve, arkeologët kanë zbuluar skelete, grumbuj gurësh për hobe dhe fortifikime që duket se janë dëmtuar, riparuar dhe më pas janë dëmtuar përsëri.
Qyteti i Trojës duket se u braktis rreth vitit 1180 para Krishtit, një datë që përputhet afërsisht me periudhën e Epokës së Vonë të Bronzit, kur Homeri dhe autorë të tjerë e vendosin Luftën e Trojës. Megjithatë, ende nuk dihet nëse qyteti u shkatërrua nga lufta apo nga një fatkeqësi natyrore.
Nëse pranojmë se Lufta e Trojës ka ndodhur vërtet, atëherë lind pyetja: çfarë përfaqëson Kali i Trojës? Është e mundur që kali të ketë qenë një simbol i mjeteve të tjera, më të zakonshme, të luftës së lashtë, si për shembull një dash për shembjen e mureve.
Duke shkruar për HistoryToday, historiania dhe autorja Julia Kindt, e librit The Trojan Horseand Other Stories: Ten Ancient Creatures That Make Us Human, ngre pyetjen nëse Kali i Trojës ishte në të vërtetë një metaforë poetike për një anije. “Në fund të fundit,” shkruan ajo, “Homeri i quan anijet ‘kuajt e detit’, ndërsa dramaturgu grek Euripidi e krahason kalin me ‘trupin e errët të një anijeje’.”
Nga ana tjetër, ajo pranon se burimet e lashta, përfshirë edhe Homerin, e përshkruajnë Kalin e Trojës si një objekt unik, të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim. Sipas tyre, ai u projektua nga mjeshtri i zdrukthëtarisë Epeu, u ndërtua me dru nga mali Ida dhe ishte vendosur mbi rrota.
Edhe pse burimet nuk bien dakord mes tyre, ato japin edhe numrin e njerëzve që ishin fshehur brenda kalit. Disa thonë se nuk ishin më shumë se 30, ndërsa të tjera flasin për deri në 100 luftëtarë. Madje një burim pretendon se brenda prisnin plot 3000 ushtarë.
Ka shumë arsye pse grekët mund të kenë zgjedhur pikërisht një kalë. Siç shpjegon JuliaKindt, kuajt kishin një rol qendror në shumë shoqëri të Epokës së Bronzit. Në Greqinë e lashtë, ata lidheshin gjithashtu me Athinën, perëndeshën e luftës.
Pavarësisht nëse Kali i Trojës ishte një ngjarje historike apo thjesht një krijim letrar, rrëfimi i tij ka vazhduar të frymëzojë breza të tërë shkrimtarësh, poetësh dhe artistësh. Nga poeti romak Virgjili, autor i Eneidës, deri te filmi Troy i vitit 2004 me Brad Pitt në rolin e Akilit, kjo legjendë vazhdon të mbetet po aq mbresëlënëse dhe tërheqëse sa kur u rrëfye për herë të parë nga Homeri.







