Ballina Politika Kapidani: Rruga e Kombit është kthyer në një bankomat zhvatës të shqiptarëve....

Kapidani: Rruga e Kombit është kthyer në një bankomat zhvatës të shqiptarëve. Të nisin menjëherë hetimet

88
0

Partia Demokratike ka kërkuar gjatë ditës së sotme nepërmjet sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Viola Kapidani nisjen e e hetimeve për grabitje nga mbifaturimet të tarifave në Rrugën e Kombit.

Deklaratë e sekretares së Marrëdhenieve me Publikun, Viola Kapidani:

Partia Demokratike denoncon dhe dënon me forcë sot një skemë të rëndë zhvatjeje nëpërmjet mbifaturimit, që prej vitesh rëndon mbi çdo shqiptar që kalon në Autostradën Milot–Morinë. Nuk bëhet fjalë për tarifën koncesionare prej 5 eurosh, kundër së cilës ne kemi qenë duke e e cilësuar si grabittje në vetvete, por për mënyrën se si kjo tarifë zbatohet në lekë, në kundërshtim me atë që parashikon vetë kontrata koncesionare.

Sipas kontratës, tarifa e pagesës në lekë duhet të llogaritet sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, në sportelet e pagesës vazhdon të aplikohet një tarifë fikse në lekë, e bazuar në kursin e këmbimit të vitit 2018, kur euro këmbehej me rreth 132 lekë.

Sot kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë luhatet te 93.69 lekë për euro. Kjo do të thotë se një qytetar që nuk paguan me euro, por me lekë, nuk paguan vlerën reale të 5 eurove sipas kursit zyrtar, por një shumë rreth 40 për qind më të lartë.

Për një automjet të zakonshëm tarifa sipas kursit zyrtar do të ishte rreth 468 lekë; tarifa që arkëtohet në sportel është 660 lekë. Pra, qytetari paguan rreth 192 lekë më shumë për çdo kalim. I njëjti mekanizëm zbatohet edhe për kamionët dhe autobusët, ku diferenca arrin deri në 862 lekë për një kalim, në varësi të kategorisë së mjetit.

Kur kjo shumë shumëzohet me mijëra automjete që kalojnë çdo ditë dhe me milionat e kalimeve ndër vite, krijohet një mbifaturim me vlera shumë të mëdha financiare. Pse nuk zbatohet formula kontraktore e konvertimit sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë?

Kush ka autorizuar mbajtjen fikse të tarifës në lekë?

Sa janë të ardhurat shtesë të krijuara nga kjo praktikë që nga viti 2018? A ka përfituar edhe shteti nga kjo diferencë përmes mekanizmave të ndarjes së të ardhurave të parashikuara në kontratë? Partia Demokratike i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të bëjë publike menjëherë mënyrën e llogaritjes së tarifave në lekë dhe bazën ligjore të saj; Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe autoritetit kontraktues të publikojnë të gjitha raportet mbi zbatimin e kontratës;

Kontrollit të Lartë të Shtetit të kryejë një auditim të plotë financiar mbi zbatimin e tarifimit që nga fillimi i koncesionit; Autoritetit të Mbrojtjes së Konsumatorit të hetojë se pse qytetarët janë mbifaturuar në kundërshtim me kontratën;

Nga ana tjetër SPAK, të nisë verifikimet për elementë të shpërdorimit të detyrës ose përfitimit të paligjshëm në dëm të interesit publik dhe të hapë hetimet përkatëse.

Partia Demokratike do të kërkojë transparencë të plotë mbi çdo lek të arkëtuar nga ky koncesion. Asnjë kontratë nuk mund të shndërrohet në një instrument për të ngarkuar qytetarët me tarifa më të larta nga ato që parashikon vetë kontrata.

Për Edi Ramën, narkoeuro nuk mund të punojë në të dy drejtimet, të rrënojë ekonominë kombëtare dhe dhe të zhvasë në kurs edhe qytetarët për transaksionet më të thjeshta.

Mesazhi që jep protesta heroike qytetare për Ramën, bashkë me salillarët dhe kastruesit e tjerë të ekonomisë individuale dhe kombëtare shqiptare është i qartë:

I keni ditët të numëruara dhe jeni në kilometrin e fundit!